Trajnim i përbashkët i njësive speciale të ARM-së dhe të SHBA-ve në Kodrën e Diellit

Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Maqedonisë, Fatmir Besimi dhe zëvendësambasadori i SHBA-ve në Republikën e Maqedonisë, Brian Aggeler, sot në Kodrën e Diellit do të marrin pjesë në trajnimin dhe në edukimin e përbashkët të forcave speciale të ARM-së dhe të forcave të armatosura të SHBA-ve.

Qëllimi i trajnimit është këmbimi i përvojave në mes të forcave speciale, përmirësimi i standardeve dhe stërvitja e ekipeve të deklaruara në Regjimentin për operacione speciale për luftim në kushte dimri, si dhe ripërtëritja e teknikave dhe e procedurave për luftë në mjedis urban, duke i shfrytëzuar përvojat nga operacionet speciale në Afganistan.

Trajnimi në mes të armatave të Republikës së Maqedonisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës realizohet në periudhën prej 1 deri më 28 shkurt, edhe atë në dy lokacione. Pjesa e parë e trajnimit “Luftë në kushte dimri” zhvillohet në Kodrën e Diellit, ndërsa pjesa e dytë e trajnimit “Stërvitje individuale/luftë në mjedis urban”, do të realizohet në Krivollak.

Bashkëpunimi në sferën e mbrojtjes ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës zhvillohet që nga viti 1994, kur u nënshkrua Memorandumi për bashkëpunim në sferën e mbrojtjes, i treti me radhë pas Memorandumeve  për bashkëpunim me Slloveninë dhe Turqinë, ndërsa në vitin 2008 u nënshkrua edhe Deklaratë për partneritet strategjik.

Në projektet e deritanishme për bashkëpunim dhe trajnime, në sistemin e mbrojtjes të Republikës së Maqedonisë  janë investuar mbi 128 milionë dollarë amerikanë, me çka në masë të madhe është kontribuar për arritjen e standardeve më të larta  të interoperativitetit. Vërtetim për këtë ishte misioni i përbashkët dymujor “Feniks”, ku pjesëtarë të ARM-së, së bashku me Gardën kombëtare të Vermontit  realizuan një mision kompleks të trajnimit dhe të mentorimit të forcave afgane të sigurisë.

Deri tani, nga ana e SHBA-ve janë dekoruar gjithsej 152 pjesëtarë të Armatës së Republikës së Maqedonisë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button