RMV, këtë vit studimi i fizibilitetit për autostradën Trebenishtë-Strugë-Qafë Thanë, do të shqyrtohen vërejtjet nga UNESKO
Ndërmarrja publike për rrugë shtetërore këtë vit planifikon të angazhojë projektues për të hartuar studimin e fizibilitetit në bazë të projektit ideor për autostradën e ardhshme Trebenishtë-Strugë-Qafë Thanë në Korridorin rrugor 8. Dokumentacioni do të hartohet në pajtim me FIDIK rregullat për përgatitje të dokumentacionit të tenderit për ndërtim të projekteve të këtilla infrastrukturore, thonë për “Meta.mk” nga NP për rrugë shtetërore, transmeton Portalb.mk.
Nga kjo ndërmarrje publike e kanë pranuar dhe e kanë shqyrtuar Draft-Raportin e UNESKO-s për gjendjen me pasurinë natyrore dhe kulturor në rajonin e Ohrit. Ata theksojnë që rekomandimet e përfshira teknike në raport do të shqyrtohen në nivel teknik dhe në koordinim me ndërmarrjet tjera publike të cilave u janë dërguar vërejtjet nga UNESKO.
Përndryshe, “Meta.mk” tashmë ka shkruar për rekomandimet nga UNESKO në Draft-raportin më të fundit, në të cilin thuhet që aksi hekurudhor, autostrada, largpërçuesi dhe gazsjellësi ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë duhet të kalojnë nëpër trasenë e njëjtë në rajonin e Strugës, që të shmanget rrezikim i biodiversitetit unik dhe peizazhit të mbrojtur nga UNESKO. Gjatë kësaj, vëmendje e veçantë në këtë raport i kushtohet lidhjes së ardhshme hekurudhore dhe rrugore ndërmjet dy vendeve, për çka kërkohet të ndërtohen në një tunel nën malin Jabllanicë.
Lidhur me rekomandimet e tilla nga UNESKO, NP për rrugë shtetërore informojnë që ekspertët-projektues dhe auditorë do t’i shqyrtojnë zgjidhjet e mundshme teknike për autostradën, me ç’rast qëndrimet e ndërmarrjes do t’i prezantohen Grupit punues në nivel të Qeverisë, kurse qëndrimet përfundimtare dhe koordinimin lidhur me projektet infrastrukturore të NP për rrugë shtetërore, NP për infrastrukturë hekurudhore, MEPSO dhe Resurseve nacionale energjetike do ta menaxhojë Qeveria dhe Komisioni Nacional për UNESKO pranë Ministrisë së kulturës.
Nga NP për rrugë shtetërore informojnë që në tremujorin e dytë të vitit 2021 duhet të fillojë rehabilitimi i aksit rrugor ekzistues nga Podmolje nëpër Strugë deri në kalimin kufitar Qafë Thanë, me çka përfundimisht do të zgjidhet problemi me karregjatën e dëmtuar.
Lidhur me ndërtimin e autostradës së re në drejtim të Qafë Thanës, nuk ka afate të sakta, megjithatë do të pritet hartimi i studimit të fizibilitetit dhe dokumentacionit të projektit si dhe sigurimi i mjeteve financiare për këtë segment të Korridorit 8.
Në vitin 2018, nën presion të UNESKO-s , Ministria për transport e lidhje vendosi që të ndërpres ndërtimin e autostradës Trebenishtë-Strugë për të shqyrtuar në mënyrë plotësuese ndikimet mbi mjedisin jetësor nga realizimi i trasesë së planifikuar që është zgjedhur me dokumentacionin e projektit tani më të hartuar.