Tetovë: Çertifikata të kurorëzimeve vetëm në maqedonisht

Disa qytetarë shqiptarë të Tetovës janë ankuar se zyrat e gjendjes civile në Tetovë kanë shpërndarë certifikata të kurorëzimeve vetëm në gjuhën maqedonase. 

Siç njofton agjencia e lajmeve INA, shqetësimin e tyre e kanë shprehur disa qytetarë të kësaj komune, të cilët kanë informuar se kërkesat për certifikatë kurorëzimi i kanë parashtruar në shqip. 

“Më datë 1 shkurt 2013 parashtrova kërkesë në gjuhën shqipe për një certifikatë kurorëzimi, certifikatë që unë e marr çdo vit pranë zyrave të gjendjes civile në Tetovë dhe që janë në varësi të Ministrisë së Drejtësisë (kështu më thanë punonjësit e asaj zyre). Ditën e premte nuk kishin mundësi të ma jepnin këtë certifikatë me arsyetimin se janë shumë të ngarkuar me punë dhe sipas logjikës njerëzore e lamë që të hënën më 4 shkurt të marr certifikatën. Të hënë më japin certifikatën vetëm në gjuhën maqedonase dhe unë kërkoj përse nuk është në gjuhën shqipe, punonjësit e tuaj më thonë se nuk ke bërë kërkesë që duhet të jetë edhe në gjuhën shqipe. Por unë si shtetas i Shqipërisë dhe që nuk kam njohje fare të gjuhës maqedonase u them se ajo është mbushur vetëm në gjuhën shqipe dhe është logjike që certifikata të duhet të jetë në dy gjuhë në bazë të Kushtetutës së RM. (Gjatë pranimit të kërkesës punonjësit më pyetën tre herë se për ku e dua certifikatën dhe u them për në Tiranë, pra në dy gjuhë e dua). Punonjësit ngulmojnë se me gënjeshtra se nuk jepen certifikata të martesës në gjuhën shqipe, atëherë unë i nxjerr certifikatën e vitit 2011 në gjuhën shqipe”, thekson Arben Llalla, historiani që jeton në Tetovë dhe që është përballur me këtë problematikë. 

Ai i ka bërë thirrje Ministrisë së Drejtësisë që të korrigjojë këto veprime dhe të ndërmarrë masa që të lëshohen certifikata edhe në gjuhën shqipe. /Portalb

 

Lajme të ngjashme

Back to top button