Pas takimit me Ban Ki-Munin, Veljanovski sot takohet me Jeremiqin

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Trajko Veljanovski sot në Nju-Jork do të takohet me kryetarin e Asamblesë së përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Vuk Jeremiq.

Në takim, siç njofton korrespondenti i MIA-s, do të marrin pjesë edhe deputetët Vlladimir Gjorçev dhe Aleksandar Spasenovski.

Veljanoski mbrëmë në Nju-Jork u takua me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Mun.

Siç deklaroi Veljanovski pas takimit, tema kryesore e bisedës ka qenë procesi i bisedave me Greqinë për tejkalimin e kontestit për emrin, i cili po zhvillohet në kuadër të Kombeve të Bashkuara, si dhe bashkëpunimi mes Maqedonisë dhe Kombeve të Bashkuara në disa sfera.

“Takimi dhe përmbajtja e bisedës që e kam pasur me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Mun është vazhdimi i takimit të cilin e kemi pasur, së bashku me ambasadorin Matthew Nimetz në korrik të vitit të kaluar. Me këtë rast e shfrytëzova mundësinë që t’i shpreh falënderim Ban Ki-Munit për kontributin e tij aktiv në bisedat për zgjidhjen e kontestit të cilin e kemi me Greqinë dhe për rëndësinë për zgjidhjen sa më të shpejtë të kësaj çështje për integrimin tonë në Bashkimin Evropian dhe në strukturat e NATO-s “, deklaroi Veljanovski.

Në takim u bisedua edhe për bashkëpunimin parlamentar në rajon, si dhe për mundësinë që diplomacia parlamentare dhe kontaktet mes deputetëve në rajon të shfrytëzohen për përmirësimin e marrëdhëneve të vendeve.

Kryetari i Kuvendit Veljanovski theksoi se pret që bashkëpunimi dhe takimet me parlamentin grek të zhvillohen në kuadër të Procesit për bashkëpunim në Evropën Juglindore, me të cilin Maqedonia është kryesues aktual. Veljanovski dhe Ban Ki-mun biseduan edhe për planet për takime në nivel të kryetarëve të Kuvendit dhe deputetëve mes Maqedonisë dhe Greqisë. Në takimin u bisedua edhe për zhvillimin e kapaciteteve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button