(Foto) Spitali i Strugës nuk e përdor gjuhën shqipe

Anashkalimi i përdorimit të gjuhës shqipe dhe ligjit për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni tashmë është një problem në rritje, madje ky ligj nuk zbatohet në shumë raste edhe në institucionet drejtorët e së cilëve janë shqiptarë.

Spitali i qytetit të Strugës është një ndër ato institucione që anashkalon përdorimin e plotë të gjuhës shqipe. Përdorimi i shqipes në këtë institucion ku drejtori është shqiptar përdoret vetëm në mënyrë sipërfaqësore në disa tabela treguese ndërsa mungon në dokumentacion, regjistrim, raportet mjekësore si dhe në dëshmitë pagesore që jepen nga arka e spitalit.

Gjithashtu gjuha shqipe nuk përdoret as në vërtetimet mjekësore për shoferë ashtu siç mund të shihni në fotot e mëposhtme edhe pse me ligj parashikohet që në vendbanimet ku shqiptarët janë mbi 20% gjuha shqipe është gjuhë zyrtare.

Qytetarët shqiptarë që shërbehen në spitalin e përgjithshëm në Strugë shprehin keqardhjen për këtë situatë, por siç theksojnë ata nevoja që kanë ata nuk ua lejon që të krijojnë komplikime edhe për çështje të tilla.

“Ne duam që këtu të jetë gjithçka edhe në gjuhën shqipe dhe jo vetëm disa tabela sa për të hedh hi në sytë e qytetarëve. Ja shikoni, tash bera një pagesë këtu tek arka dhe gjitha dëshmitë për pagesën janë vetëm në maqedonisht, edhe raportet mjekësore edhe udhëzimet janë vetëm maqedonisht. Më vjen keq për këtë po skemi çbëjmë, jemi sëmur dhe nuk mundemi që të mirremi me këto gjera tani, ne kemi njerëz që kemi zgjedhur për tu marr me këto punë, por siç duket ata kanë harruar fare se kush janë dhe për çka janë” shprehet një qytetar i Strugës.

Drejtori i spitalit të Strugës, Mentor Ibraimi nuk pranoi të sqarohet përmes telefonit për këtë situatë edhe përpos disa tentativave nga Portalb për të marrë një koment në lidhje me situatën e krijuar ai nuk ju përgjigj thirrjeve. 

Lajme të ngjashme

Back to top button