Komisioni anketues nuk mbush syrin e ekspertëve

Status kuo-ja politike në Maqedoni, vazhdon të rrotullohet rreth ngjarjeve të 24 Dhjetorit.

Kriza parlamentare, që u krijua me largimin e opozitës nga Kuvendi, edhe më tej nuk tregon shenja shërimi. Kjo ka rezultuar me thellim të vazhdueshëm të konfliktit mes palëve parlamentare. Në ndërkohë, në kërkim të presidentit Gjorgje Ivanov dhe përfaqësuesve evropian në vend, është sugjeruar edhe krijimi i Komisionit Anketues për shqyrtimin e rastit në fjalë.

Mirëpo, opozita maqedonase kundërshton këtë vendim. Ata theksojnë se dhuna në Kuvend dhe thyerja e ligjit, ishin evidente. Ndërkaq, edhe analistët politikë dhe ekspertët e vendit, dyshojnë në qëllimet e këtij Komisioni. Ndër ta, Edmond Ademi, nga instituti “Libertas”, shprehet skeptik ndaj rezultateve eventuale të Komisionit. 

“Nuk mund të presësh që çështja të zgjidhet nga një Komision Anketues i përbërë nga deputetë të mazhorancës, kur të njëjtit deputetë ishin prezentë dhe në mënyrë direkte dhe indirekte pjesëmarrës”, deklaroi Ademi për Portalb. 

Sipas tij, praktika dëshmon për një mos efikasitet të vazhdueshëm të Komisioneve Anketuese.
“Historia parlamentare e Maqedonisë gjatë këtyre 22 viteve të kaluara, tregon se asnjëherë nuk është zgjedhur asnjë çështje në kuadër të parlamentit apo sistemit. Kishim raste të ndryshme të rrahjeve në Parlament, rastin e Gostivarit më 97 etj…”

Të përafërta janë edhe qëndrimet e analistit Suad Misini. Ai vlerëson se përveç tjerash, Komisioni nuk është kurrfarë justifikimi për ngjarjet në Kuvend.

“Së pari, mendoj se nuk do të kontribuon drejt zbardhjes së situatës. Së dyti, mendoj se është i panevojshëm, për shkak se ekzistojnë fakte të qarta për thyerjen e ligjit dhe kushtetutës. Në fund, jam i mendimit se Komisioni nuk është kurrfarë substituti për ngjarjet e 24 Dhjetorit, e as garanci se në të ardhmen gjëra të tilla nuk do të përsëriten” tha Misini.

Ndryshe, më 24 Dhjetor të vitit të kaluar, gjatë përpjekjes së tyre për të parandaluar miratimin e Buxhetit, deputetët e opozitës, së bashku me gazetarët e pranishëm, u dëbuan nga Kuvendi nga ana e sigurimit. Reagime të shumta, si nga opozita politike, ashtu edhe nga SHGM-ja dhe përfaqësuesit e mediave, në vazhdimësi kanë tundur opinionin që atëherë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button