Bastri Bajrami kërkoi sërish besimin për Haraçinën

Kandidati i pavarur për komunën e Haraçinës, Bastri Bajrami dje ka hapur shtabin komunal në këtë komunë. Ai kërkoi sërish besimin e banorëve të Haraçinës duke folur para tyre për projektet që do të vazhdojnë nëse sërish rizgjidhet për kryetar të kësaj komune.

“Ne jemi munduar dhe kemi punuar, kemi  arritur të marrim ca nga hisja jonë  që na  takonte mirëpo ende nuk do ndalemi gjer sa përfundimisht të marrin hisen dhe  të jemi të barabartë. Rregullimi i rrugëve dhe trotuareve, ndriçimi i vendbanimeve në tërë Komunën, sigurimi i transportit për nxënësit e fshatrave Grushinë, Orllancë dhe Mojancë, rregullimi i gypave të ujit, realizuam mbi 20 fushata senzibilizuese, duke filluar nga fushatat arsimore, ekologjike, kulturore e sportive, rregullimi i kanaleve atmosferike, ndërtuam dhe rekonstruam shkolla, ndërtuam terrene sportive, këto janë vetëm disa nga projektet që për katër vite ndryshuan Komunën për të mirë” tha Bajrami.

Ai tha se në pritje të realizimit janë edhe disa projekte madhore dhe shumë të dobishme për qytetarët e Haraçinës. 

“Qëllimi dhe synimi ynë kryesor për mandatin e ardhshëm është zgjerimi i territorit të Komunës, si dhe sigurimi i ujit të pijshëm për Haraçinën. Projekti për ujin tashmë gjendet në institucionet qendrore dhe shumë shpejt, në fillim të prilli pritet të fillojnë punimet. Punimet në këtë kohë do të fillojnë edhe për ndërtimin e shkollës së mesme, pasi projekti final tashmë është pranuar nga Ministria e Arsimit, ndërkohë që hapësira e kësaj shkolle do të përfshijë mbi 10 mijë metra katrorë” tha Bajrami duke përmendur dhe disa projekte të tjera që ai do ti realizojë nëse fiton besimin e banorëve të Haraçinës.

Lajme të ngjashme

Back to top button