Incidentet krijojnë frikë dhe pasiguri në Maqedoni!

Incidentet e fundit në Shkup por edhe zhvillimet politike në përgjithësi në Maqedoni kanë ndikuar që tek qytetarët të mbizotërojë frika dhe pasiguria e përgjithshme.

Rrahjet, sulmet ndaj nxënësve, protestat e dhunshme dhe aksionet policore për arsye të ndryshme, janë faktorët që kanë krijuar gjendjen e pasigurisë tek popullata.

Qytetarët vlerësojnë se kjo pasiguri pengon lëvizjen e lirë të tyre dhe ndikon negativisht në përditshmërinë dhe mënyrën e jetesës.

“Është e turpshme që në shekullin e XXI në një shtet të shpallur si demokratik të ndjehesh kështu si ndihemi ne sot në Shkup. Kemi frikë të dërgojmë fëmijët në shkollë, jemi izoluar plotësisht. Kjo situatë ka ndikuar edhe në punët tona, me të vërtet ndihemi si në gjendje lufte madje edhe më keq” thotë N.Bajrami nga Shkupi.

“Këtë gjendje që po kalojmë ne sot, unë nuk a mbaj mend as në komunizëm, të kesh frikë të shëtisësh I lirë nëpër qytet, te druhesh të flasësh në telefon, apo të prezantohesh kush je. Kjo është e pa tolerueshme, situata reale është shumë e vështirë. Jetojmë me ndjenja shumë të këqija, kemi nipër dhe mbesa të cilët kemi frikë ti dërgojmë nëpër shkolla dhe jo më ti lëshojmë në ndonjë mbrëmje apo aktivitet për të rinj”  thotë E.M, pensionist nga lagja e Fushë Topanës në Shkup.

“Sigurisht që ngjarjet e fundit kanë ndikuar shumë negativisht në vendin tonë, unë kam pasur shumë kolegë por edhe shokë të etnitetit maqedonas dhe pas ngjarjeve të fundit ne të gjithë kemi krijuar një distancë dhe rezerva në shoqërinë tonë” thekson B.Kamberi nga Shkupi.

“Ne gjithmonë kemi pasur një lloj distance me maqedonasit, por pas incidenteve të fundit sigurisht që kjo distancë është thelluar. Tash nuk shkojmë në shkollë njëjtë si më parë, edhe nga shtëpia na porosisin shumë që të kemi kujdes madje dhjetëra herë në ditë na telefonojnë për të na pyetur ku ndodhemi dhe si jemi. Nuk ndihem mirë me këtë gjendje, në orë të mësimit me frikë dhe në pushim me frikë, tashmë kjo situatë na ka lodhur shumë” shprehet N.Rushiti nxënës i shkollës së mesme në Shkup.

Rastet e fundit të dhunës në Maqedoni kanë shtuar dukshëm praninë e forcave policore në qytetet e vendit ku jetojnë shqiptarë dhe maqedonas. Lidhur me gjendjen e krijuar kanë reaguar shumë Organizata  jo qeveritare dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare në Maqedoni.

Analistët kanë vlerësuar se situata e krijuar është ndikuar edhe nga mënyrat e informimit të qytetarëve nga media të caktuara. dhe se kjo do të ndikojë edhe në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Rreziku dhe pasiguria tek qytetarët është rritur dhe kjo nuk kontribuon për mirëqenien dhe bashkëjetesën e qytetarëve të Maqedonisë.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button