RMV, pandemia e uli edhe prodhimtarinë edhe konsumin e mishit për 20 deri në 40 %, prodhuesit kërkojnë ndihmë nga qeveria

Vitin e kaluar, prodhuesit vendas të mishit dhe produkteve të mishit u përballën me ulje të prodhimtarisë prej 20 deri në 40% krahasuar me 2019 dhe me ulje të konsumit për rreth 20%. Është kjo pasojë e fuqisë së zvogëluar blerëse të qytetarëve në situatë kur kishte pandemi me kovid-19, si dhe rënies së kërkesës për mish nga hotelet dhe restorantet, të cilat patën ulje të punës gjatë vitit të fundit. Prodhuesit vendas të mishit i bëjnë apel Qeverisë që me masat e reja ekonomike t’u jepet mbështetje më e madhe, në përgjithësi, të gjithë prodhuesve në industrinë ushqimore, sepse masat e mëparshme nuk kanë dhënë efekte të konsiderueshme në këtë sektor, njofton Portalb.mk.

Këto janë vlerësimet e bëra në konferencën e sotme për shtyp të Odës Ekonomike të Maqedonisë (OEM) me temën “Stimulimi i konsumit të brendshëm për mbijetesë të industrisë ushqimore”.

Sipas Vasko Ristovskit, këshilltar i pavarur për bujqësi, në OEM, masat e mëparshme ekonomike të Qeverisë, në sektorin e industrisë ushqimore, për të mbështetur ekonominë nuk kanë pasur rezultate të konsiderueshme, gjë që ka ndikuar në prodhimin e mishit. Pritet që situata me tepricën e mishit të derrit së shpejti të përmirësohet, me realizimin e eksportit të mishit të derrit të ngrirë nga RMV në BE, me heqjen e ndalimeve të eksportit në vendet evropiane.

“Pandemia kovid, qëndrimi në shtëpi, mos funksionimi i restoranteve dhe hoteleve, shkaktoi ulje të prodhimit në industrinë e mishit prej rreth 20 deri në 40 %, ndërsa konsumi i brendshëm i mishit u ul mbi 20 % në krahasim me vitin 2019. Prandaj i bëjmë thirrje Qeverisë për mbështetje më të madhe për prodhuesit”, tha Ristovski.

Goce Trajçev, Kryetar i grupacionit në OEM për mish dhe produkteve të mishit të përpunuar, vuri në dukje se masat ekonomike të Qeverisë nuk i dhanë rezultate në industrinë e mishit pavarësisht nga fondet e shpenzuara dhe apeloi që Qeveria t’i kushtojë më shumë vëmendje industrisë së mishit me masat e reja, se sa deri tani, me çka do t’u ndihmojë edhe prodhuesve tjerë në industrinë ushqimore.

“Apeli jonë për Qeverinë është që masat ekonomike që do të miratohen të jenë në përputhje me masat e vendeve evropiane dhe në drejtim të mbështetjes dhe mbrojtjes më të madhe të prodhimit vendas. Grupi i katërt i masave nuk dha rezultate pozitive, ndërsa problemi qëndron në orientimin e gabuar të ndihmës për prodhuesit vendas. Masat e humbën efektin disi duke u orientuar në drejtim tjetër”, tha Trajçev, i cili shtoi se vërejtjet e prodhuesve dorëzohen vazhdimisht në Qeveri dhe apelohet vazhdimisht për problemin e drejtimit të fondeve shtetërore për të ndihmuar kompanitë.

Në OEM thanë se bisedimet midis Odës ekonomike dhe Qeverisë rreth përcaktimit të grupit të fundit, të pestë të masave ekonomike janë ende në zhvillim e sipër dhe se kërkesat e anëtarëve të OEM, si dhe Grupacionit për mish dhe produkte të përpunuara të mishit, do të jenë pjesë e negociatave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button