Vaksinat nga AstraZenecas mos të shfrytëzohen nga personat mbi moshën 65 vjeçare, vendosi Gjermania

Komiteti për vaksina në Gjermani ka thënë se me vaksinën kundër koronavirusit, të kompanisë AstraZeneca, duhet të vaksinohen vetëm personat nën moshën 65-vjeçare, raporton REL.

Komiteti ka cituar “të dhëna të pamjaftueshme” për efektivitetin e vaksinave për personat mbi moshën 65-vjeçare.

Rregullatorët e Bashkimit Evropian kanë thënë se studimet për efikasitet të vaksinës së kompanisë AstraZeneca janë kryer te një numër i vogël i personave të moshuar.

Agjencia Evropiane për Ilaçe pritet të vendosë të premten nëse do të miratojë këtë vaksinë për përdorim në gjithë bllokun evropian.

Mbretëria e Bashkuar e ka përdorur këtë vaksinë në programin e saj për imunizim masiv tash e disa javë, derisa zyrtarët për shëndet publik kanë thënë se vaksina është e sigurt dhe ofron “nivele të larta të mbrojtjes” kundër sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Ky lajm vjen ndërkohë që Bashkimi Evropian është përfshirë në mospajtime me prodhuesit e vaksinave, meqë ata kanë njoftuar se do të ulin prodhimin e vaksinave për shkak të disa ndryshimeve të domosdoshme nëpër fabrika.

Bashkimi Evropian, në anën tjetër, ka thënë se këto kompani duhet të jetësojnë premtimet e veta. Edhe kompanitë tjera, Pfizer/BioNTech, kanë njoftuar së fundmi se do të bëjnë zvogëlime në dërgesa në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button