Ahmeti dhe njeriu i parë i OSBE-së në vend biseduan për 24 dhjetorin

Bashkimi Demokratik për Integrim do të jetë partner i OSBE-së në implementimin e proceseve demokratike dhe do të bashkëpunojë për proces dinjitoz zgjedhor që do të mbahet në mars të këtij viti, kështu i premtoi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, shefit të misionit të OSBE-së në vend, Ralf Bret, gjatë takimit të tyre të sotëm, mësohet nga kumtesa partiake.

Ahmeti dhe Bret u takuan në selinë e BDI-së në Tetovë, e krahas zgjedhjeve, u bisedua edhe për ngjarjet në Kuvend më 24 dhjetor.

Lideri i BDI-së e siguroi shefin e OSBE-së në vend se ngjarjet e 24 dhjetorit nuk kanë qenë të dëshiruara për BDI-në dhe kanë shkaktuar shqetësim, por, siç u shpreh Ahmeti, “bojkotimi i institucioneve dhe zgjedhjeve nuk është zgjidhje dhe për atë shkak opozita duhet të kthehet në Kuvend dhe të marrë pjesë në zgjedhjet lokale”.

Ambasadori Bret u përqëndrua në rolin e OSBE-ODIHR-së gjatë vëzhgimit të zgjedhjeve lokale në mars, ndërsa Ahmeti e siguroi shefin e OSBE-së se BDI-ja është partner i kësaj organizate në implementimin e proceseve demokratike dhe se do të bashkëpunojë për një proces dinjitoz zgjedhor.
Krerët e OSBE-së dhe BDI-së biseduan edhe për kontestin me Greqinë për emrin, me ç’rast Ahmeti theksoi se mbyllja e këtij konesti është shumë i rëndësishëm dhe se pa ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, vështirë se mund të arrihet kompromis.

Bret e siguroi Ahmetin se misioni i OSBE-së e ndjek për së afërmi procesin gjyqësor në rastin “Monstër”. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button