U dogj Kumanova, mori flakë Preshova

Heqja e sotme nga ana e pushtetit serb të lapidarit për dëshmorët shqiptarë, të rënë në përpjekjet e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit për të drejtat e tyre, është një ngjarje historike. Kjo jo aq për historinë e ndodhisë sa për historinë që mund të prodhon kjo ndodhi. 

Të parët në këtë histori do jenë vet pushteti shtetëror serb i cili vetëm me një prezencë të numrit të madh të ushtrisë dhe armatimit, ekzekutoi një urdhër, në thelb, administrativ dhe vetëm procedural. Me këtë Serbia e sotme dëshmoi se është shtet por vetëm një shtet i rëndomtë ballkanik. Kjo pasi Serbia me politikat dhe përzierjet e saja në rajon, dëshironte të paraqitej si një fuqi rajonale që do mbante zvarrë madje edhe shtete tjera të tëra, si Kosova, Maqedonia dhe Bosnja. Dëshironte të dukej si një fuqi rajonale që komentonte dhe bënte krahasime para botës për këto shtete, vetëm mes tyre, bile edhe duke e ndërlidhur funksionimin dhe tërësinë e këtyre tre shteteve, me njëra-tjetrën. Kurse sot doli në shesh se Serbia, mu si këto tre shtetet e përfolura nga vet ajo, ka Mitrovicë, Republika Srpska dhe shqiptarët e vet! 

Të dytët në këtë histori do jenë shqiptarët. Me problemet si korrupsioni, mosfunksionimi institucional dhe mospërfaqësimi politik, me të cilat merren elitat politike shqiptare në tri shtetet ku kanë prezencë të theksuar politike (Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni) vështirë se do mund si Serbia të dëshmojnë shtetësi por shqiptarët do dëshmojnë të qenurit e tyre komb dhe popull ballkanik të cilin duhet llogaritur çdokush që do dojë të ketë punë me këtë rajon. Sigurisht, duke marrë mësimin, madje edhe shembullin e Serbisë, se të qenurit komb nënkupton legjitimitet të popullit me shtetin dhe funksionim institucional. 

Serbia do jetë meritore edhe për faktin se me këtë kontribuoi që shqiptarët të dinë se kanë bashkatdhetarë të tyre edhe brenda Serbisë dhe të frymojnë në të njëjtën vijë si komb, qoftë edhe kështu: përgjatë shprehjes së një indinjate. 

Përveç këtyre mësimeve, kjo ngjarje, shqiptarëve do ju ndihmojë më realisht ti kuptojnë nocionet si: bashkësi ndërkombëtare, stabilitet rajonal, reciprocitet dhe fqinjësi e mirë. Gjë që mund të jetë një këndellje për politikanët shqiptarë të cilët deri më tani ishin kampionët rajonal në konstruktivitet, tolerancë dhe zemërgjerësi. Aq sa opinioni përjetoi që një prift serb midis Shkodrës të flasë për “çlirimin” nga ana e tyre të Shkodrës, ministri i mbrojtjes së Maqedonisë, një shqiptar, të jetë mu ai i cili bëri takimin e parë ndërkombëtar me shefin e Shtatmadhorisë serbe, një serb që ka marrë pjesë në luftën e Kosovës dhe bile të përcillen komentet e kryeministrit serb për atë se kush duhet të jetë kryeministër i Kosovës, Hashim Thaçi apo Ramush Haradinaj?!

Me një analizë të mëtejme këndellja mund të ndikojë pozitivisht së pari tek shqiptarët e Luginës dhe mandej edhe tek ata në Maqedoni. Kjo duke analizuar procesin e shpërnguljes së kuadrove të tyre më kualitative për në vende më “shqiptare” si Kosova dhe Shqipëria. Kur një pjese të kombit, si atyre në Luginë apo edhe në Maqedoni, u largohet “më e mira që kanë”, atëherë ajo që mbetet është vetëm një popullatë. Popullatë të cilës i mbetet, ja kështu, si në Luginë, të orvatet të formojë madje edhe gjashtë-shtatë parti politike (?!), por vetëm sa për të patë në dorë një apo më shumë komuna!

Sa për të arsyetuar dhe sqaruar edhe titullin e këtij shkrimi më duhet të cek edhe diçka të veçantë për neve qytetarët shqiptarë të Maqedonisë. Titulli është pjesë e tekstit të këngës dasmore shqiptare “Ti ku ke moj Shazo”, por në versionin turqisht të kësaj kënge ku përmenden Kumanova e Maqedonisë dhe Presheva, tani në Serbi, si një tërësi dhe domosdoshmërish të ndërlidhura mes vete, mu ashtu siç edhe janë ende këto dy qyteza.
Viteve të fundit për tri gjëra përmendet Presheva dhe shqiptarët e Luginës në Kumanovë dhe Maqedoni. Në lidhje me një vendkalim kufitar që assesi të hapet edhe pse, që moti, pala serbe ka kryer gjithë pjesën e saj të punës. Për përfitim politik nga një projekt për disperzion të arsimit sipëror në Maqedoni, që është pjesë e programit të partisë VMRO-DPMNE, e të cilin partia shqiptare BDI e arsyetoi edhe me faktin se në Kumanovë do mësojnë edhe djemtë dhe vajzat prej Luginës. Dhe e treta; gjatë arsyetimit jozyrtar për vendosjen e lapidarit serb në Zebrnjak, Maqedoni, shënim ky i njëqind vjetorit të betejës së Kumanovës ku u ushtrua gjenocid, i dokumentuar ndërkombëtarisht, mbi shqiptarë, turq dhe bullgarë nga ana e ushtrisë serbe. 

Në të tria këto herë integrimi kombëtar, historia dhe patriotizmi u përdor nga politikanë shqiptarë të Maqedonisë vetëm si një rrugë njëkahshe. Rrugë ku ata do marrin e assesi nuk do japin, apo mozomakeq, sakrifikojnë gjë!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk
Të drejtat e publikimit i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button