Pas publikimit të vendimit të Kushtetueses, Osmani pritet t’i shpall zgjedhjet e parakohshme në Kosovë
Partitë politike në Kosovë tashmë kanë filluar procedurat brendapartiake për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, si rezultat i vendimit të shqiptuar nga Gjykata Kushtetuese para disa javëve, transmeton Portalb.mk.
Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese mban datën e 6 janarit të vitit 2021, ndërsa ushtruesja e detyrës së Presidentes në Kosovë, Vjosa Osmani kishte paralajmëruar se menjëherë pas publikimit të vendimit, do të shpall zgjedhjet e parakohshme.
Ndryshe, Osmani më 22 dhe 23 dhjetor ka zhvilluar takime me partitë politike për të biseduar në lidhje me zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vend.
“Pas përfundimit të takimeve dhe diskutimeve përmbajtjesore me të gjitha subjektet politike u.d. Presidentja Osmani ka theksuar se sapo palët ta marrin Aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese, menjëherë do të caktohet data e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, kishte deklaruar Osmani.
Më 21 dhjetor ishte shqiptuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese rreth ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjen e Qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti. Sipas vendimit, Kushtetuesja ka anuluar vendimin për zgjedhjen e Qeverisë Hoti.
- LEXO: Osmani mbaroi takimet me partitë politike, paralajmëroi shpalljen e menjëhershme të zgjedhjeve
- LEXO: Kosovë, Kushtetuesja shkarkoi Qeverinë Hoti, shpalli zgjedhjet e reja
- LEXO: PDK-ja e caktoi kandidatin për kryeministër në zgjedhjet e radhës
- LEXO: Avdullah Hoti, kandidat i LDK-së për kryeministër