Qeveria e Kosovës: Largimi i lapidarit, rrezikon ndërprerjen e dialogut me Serbinë

Qeveria e Republikës së Kosovës ka shprehur indinjatën e saj të thellë për veprimin e shëmtuar të heqjes me forcë të Memorialit për luftëtarët e UÇPMB-së në qendër të Preshevës.

“Ky veprim i Qeverisë së Serbisë është një dëshmi tjetër se urrejtja kundër shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës është ende gjallë dhe se ajo po ushqehet me veprime të tilla të pasardhësve të politikës gjenocidale të Millosheviqit. Dështimi i Qeverisë së Serbisë që përmes dialogut të gjejë një zgjidhje për vendosjen e Memorialit tregon se dialogu ende nuk është pjesë e politikës qeveritare të Serbisë kur janë në pyetje shqiptarët”, thuhet ne reagimin e Qeverise se Kosovës.

“Ky veprim jocivilizues i Qeverisë së Serbisë i heqjes së Memorialit nuk e ndryshon dot historinë dhe kujtesën e shqiptarëve kudo që janë. Përkundrazi, vetëm sa e forcon atë dhe na rikujton se Serbia dhe politikat e saj mbeten po ato të shekullit të kaluar. Qeveria e Republikës së Kosovës iu bën thirrje shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe qytetarëve të Kosovës që të mos i përgjigjen këtij provokimi qyqar të Serbisë. Ne duhet të besojmë në vlerat civilizuese dhe jo në antivlera, të cilat i promovon Serbia, e që janë dënuar nga e gjithë bota perëndimore demokratike. Ky akt i shëmtuar i Qeverisë së Serbisë e rrezikon seriozisht procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe përgjegjësia direkte bie mbi Serbinë”, thuhet me tej ne njoftim.

Lajme të ngjashme

Back to top button