Filipçe: Në shkurt do të arrijnë vaksinat e para kundër Covid-19

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe informoi sot nëpërmjet një posti në Facebook se, Maqedonia e Veriut do të marrë në shkurt dozat e para të vaksinës Pfizer. Ai tha se për këtë, është arritur marrëveshje e drejtpërdrejt me kompaninë, ndërsa sasia do të dihet në periudhën vijuese, transmeton Portalb.mk.

“Republika e Maqedonisë së Veriut do të marrë dozat e para të vaksinës Pfizer në shkurt. Këtë pasdite kemi arritur marrëveshje të drejtpërdrejtë me kompaninë dhe sasia do të dihet në javët në vijim.  Dozat e ardhshme të vaksinës Pfizer do të mbërrijnë në mars dhe prill.  Ministria e Shëndetësisë vazhdon bisedimet për sigurimin e vaksinave përmes negociatave me vendet anëtare të BE-së si dhe përmes mekanizmit Kovkaks, nga ku pritet orari dhe data për shpërndarjen e sasive të para.  Ky është një lajm i shkëlqyeshëm për të gjithë qytetarët dhe hapi i parë drejt një fitore përfundimtare mbi pandeminë.  Frigoriferët për ruajtjen e këtyre vaksinave priten në janar dhe kështu sistemi shëndetësor maqedonas do të jetë plotësisht i përgatitur për vaksinim”, ka shkruar Filipçe.

Kujtojmë se, Qeveria e Bullgarisë në seancën e mbajtur javën e kaluar, ku mori pjesë ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, miratoi vendim që një pjesë të secilës dërgesë të vaksinave kundër Kovid 19, të cilat i ka blerë direkt nga prodhuesit do t’ia dhurojë Maqedonisë së Veriut. Me këtë vendim, vaksinat kundër Kovid-19 do të mbërrijnë në vendin tonë në të njëjtën kohë si në vendet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian.

Përveç përmes donacionit nga Republika e Bullgarisë, vendi ynë gjithashtu siguroi vaksina përmes mekanizmit Kovaks. Bashkimi Evropian ka siguruar 400 milion vaksina për vendet anëtare dhe 100 milion shtesë për vendet që nuk janë pjesë e BE-së, të cilat mund të merren përmes vendeve anëtare. Deri më tani, Polonia dhe Greqia e kanë ofruar këtë lloj ndihme për vendin tonë. Republika e Maqedonisë së Veriut po negocion gjithashtu edhe me prodhuesit për furnizim direkt me vaksina.

Maqedonia e Veriut ka paguar paradhënie për vaksinën kundër Kovid 19, me çka është siguruar garanci bankare se do të paguhet shuma e plotë për blerjen e 833,000 vaksinave, për rreth 400,000 qytetarë. Përveç përmes mekanizmit Kovaks, është vendosur kontakti i drejtpërdrejtë me Pfizer dhe AstraZeneka.

Ndryshe marrja ose jo e vaksinës kundër Kovid-19 do të jetë në dorë të qytetarëve të vendosin, gjegjësisht, vaksina nuk do të jetë e detyrueshme. Ndërsa të parët që do të vaksinohen do të jenë punëtorët shëndetësorë, të sëmurët kronik dhe personat më të moshuar se 65-vjeç.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button