Kuvend, Milloshoski filmonte teksa fjaloseshin Xhaferi dhe Micevski, Xhaferi paralajmëroi Siljanovskën të mos bëjë atë që  nuk dëshiron t’ia bëjnë studentët

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi dhe koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së Nikolla Micevski u fjalosën për vazhdimin e seancës së mbrëmshme të 19-të. Micevski u ankua se vazhdimi i seancës ishte planifikuar për në orën 20, kurse Xhaferi i la deputetët e opozitës të presin për një orë e 40 minuta pa ndonjë informacion, njofton Portalb.mk.

“Kështu e thyeni Rregulloren nga fillimi. Vazhdimi i kësaj seance ishte planifikuar për në orën 20:00, tani është ora 21:40. Deputetët e opozitës ju presin në sallën e parlamentit për një orë e 40 minuta. Dëshironi të vazhdoni seancën pa vendim dhe pa informacion që e njëjta do të vazhdojë pas orës 18:00. A kështu do të punojmë, kjo është transparenca e punës së Kuvendit? Dëshironi që në derë të vogël, disa çështje t’i kaloni në kohë pa kohë të natës? Është turp ajo që po bëni, i keni kaluar të gjithë kufijtë”, tha Micevski.

Ndërsa Micevski ishte duke folur, anëtari i partisë së tij Antonio Milloshoski, e filmonte drejtëpdrejti në Facebook atë dhe Xhaferin, ndaj të të cilit veprim kryetari i parlamentit reagoi.

“Antonio Milloshoski, ndërpriteni incizimin. Nuk lejohet, nuk kërkove leje nga askush të incizosh. Regjistrimi i paautorizuar nuk lejohet. Bëni çfarë doni, unë ju them se nuk lejohet”, tha Xhaferi dhe pasi priti që Micevski të mbaronte, iu përgjigj:

“U morëm vesh që sot do të punojë Komisioni për Financa dhe Buxhet dhe komisionet e tjera, ndërsa kjo seancë do të mbahet më 28-in dhe papritmas në vend të Komisionit për Financa dhe Buxhet dhe komisioneve të tjera që ju kryesoni i thirrët për datën 28. Duke pasur parasysh që Komisioni për Financa dhe Buxhet ishte thirrur për më 28-in ​​dhe këto seanca ishin për datën 28, ​​dhe për shkak se nuk e respektuat atë marrëveshje, vendosa që këto dy t’i thërras sot. Në mëngjes u thirrën seancat e 19 dhe 20. Për shtyrjen e këtyre seancave qysh atëherë u ishte thënë se në orën 12 do të vazhdojmë me seancën e 19 dhe pas saj me seancën e 20. E gjitha varet nga debati që do të zhvillohet në seancën e 19-të. Ty Micevski si koordinator të thash qysh në orën 2.15, të thirra dhe të thashë”.

Derisa Xhaferi po i përgjigjej Micevskit, deputetja e VMRO-DPMNE-së Gordana Siljanovska bërtiste nga vendi i saj, pas së cilës Xhaferi iu drejtua:

“Heshtni atje, çka di unë ose çka dini ju. Profesoreshë, mos na ndërprisni fjalën, këtu nuk jemi në ligjërata të fakultetit”.

Seanca e 19-të më pas vazhdoi me debatin mbi Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për organizatat e invalidëve, me procedurë të shkurtuar, për të cilën ishin regjistruar 26 folës.

Siljanovska përsëri i bërtiti Xhaferit, ndërsa në foltore ishte deputeti i së majtës Borisllav Kërmov.

“Gordana mos u hidhni nga vendi. Për një koment të tillë në ligjëratë, studenti nuk do të ketë të drejtë të paraqitet në fakultet për 2 vjet”, i tha Xhaferi kësaj here deputetes së VMRO-DPMNE-së.

Kërmov i kërkonte Xhaferit të tregojë se deri kur do të punojnë.

“Ne kemi familje në shtëpi. Secili prej nesh ka planifikuar ditën, ditën e nesërme. Ka njerëz që duhet të udhëtojnë 100, 200 kilometra”, tha Kërmov rreth orës 22:30.

Kësaj pyetjeje Xhaferi iu përgjigj:

“Unë a nuk kam familje? Cvetanka Ivanova është pa familje?, por rrimë këtu nga ora 8. Kur u kandiduat për deputet duhej t’u thonit votuesve se keni familje. Prandaj, do të punojmë këtu për sa kohë që ka dëshirë për të folur. Kurse dëshirë e shoh që ka. 26 deputetë janë paraqitur për të folur. Unë do t’ju pres që të flisni. Ndërsa për tu kthyer, ju jeni deputetë. Kush me autobus, kush me skuter, kush me makinë …, kush nuk ka, mund të flejë në një hotel”.

Pas 13 fjalimesh, pak pas orës 23, Xhaferi pyeti deputetët nëse dëshironin të vazhdonin me seancën apo ta linin për nesër dhe me kërkesë të deputetëve të shumicës, Xhaferi, megjithëse tha se do ta vazhdonte, vendosi ta shtyjë seancën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button