Facebook, fushëbeteja moderne e politikanëve

Gara përmes rrjeteve sociale siç duket do të jetë një fushbetejë në vete në fushatën parazgjedhore për zgjedhjet lokale në Maqedoni. Prof.Dr Sefer Tairi vlerson se politikanët në Maqedoni duhet ti kushtojnë rëndësi të veçantë këti lloji komunikimi ndërsa kandidatët Ziadin Sela dhe Arben Labënishti tashmë janë aktiv në këtë drejtim, kandidati Rruzhdi Lata thotë se nuk e ka shumë të rëndësishme këtë formë të kontaktit me opinionin.

Dikur fushatat politike bazoheshin tek fjalimet, tubimet dhe gazetat për të komunikuar dhe për të motivuar votuesit. Më pas, radioja dhe televizioni bënë të mundur që të flitej me të gjithë, shpejt dhe në të njëjtën kohë. Megjithatë sot teknologjia dhe mënyra e komunikimit ka avancuar edhe më shume. Tash, fushatat mund të përhapen dhe të komunikojnë me publikun permes të ashtuquajturave “Rrjetet sociale”.

Klasa politike në Maqedoni është pjesërisht aktive në këtë drejtim, megjithatë rrezultatet që vijnë nga vendet perndimore po dëshmojnë se komunikimi online paraqet një faktor determinant në suksesin e partive dhe kandidatëve të tyre.

Prof.Dr Sefer Tairi vlerëson se përdorimi i rrjeteve sociale tashmë është një trend botëror dhe se përdorimi i tyre në fushatat elektorale nga politikanët e vendit tonë është shumë i favorshëm. 

“Duke pasur parasysh se jetojmë në kohën e globalizimit dhe komunikimit të shpejtë, politika dhe partitë pjesëmarrëse në zgjedhje kanë ndryshuar format e prezantimit para publikut dhe tanimë fushatat publike nuk i realizojnë vetëm përmes formave tradicionale, si tubime apo takime me qytetarë, përmes mediave tradicionale, por edhe përmes mediave të reja. Në këtë kontekst vlerësoj se ndikimi jo vetëm i facebookut, twiterit, blogjeve dhe youtube gjatë fushatave dhe betajeve politike është i madh. Këtë trend botëror politikanët shqiptarë apo disa prej tyre e kanë ndje se duhet ta ndjekin dhe po i perdorin këto mjete komunikimi me qytetarët, natyrisht jo në masën e duhur dhe jo duke i lënë rjetet social hapësira të pacenzuruara dhe demokratike të shprehjes së mendimit të lirë. Politika shqiptare duhet të kuptojë se kritika, e qëllimshme apo jo, herë me të drejtë e herë pa të, duhet të jetë pjese e diskursit publik dhe duhet të manifestohet edhe në komunikimin publik si në gazeta, radio, televizion por edhe në mediat e reja.” , shprehet profesori universitar Sefer Tairi.

Intenziteti i përdorimit dhe aktivitetit të politikanëve të vendit tone në rrjetet sociale vazhdimisht po rritet, megjithatë për një pjesë të kandidatëve ky komunikim akoma nuk gjen zbatim.

Kandidati i BDI-së për komunën e Dibrës, Rruzhdi Lata thotë se nuk posedon adresë të tijën në ndonjë rrjet social dhe se do të analizojë në vijim nëse ekipi i tij do të ketë qasje ndaj opinionit në këtë formë ose jo.

“Nuk e përdori dhe nuk kam menduar të kem Facebook ose Twiter, nuk e di ndoshta në vazhdim këtë punë do ta realizojmë perms ekipit tim port ash për tash nuk e kam menduar’ thotë kandidati i BDI-së për Dibrën, Rruzhdi Lata.

Arben Labënishti i cili këto zgjedhje lokale do të garojë për qytetin e Strugës, vlerson ndikimin e rrjeteve sociale në fushatat propagandistike por thekson se më e rëndësishme për të është komunikimi i drejtpërdrejtë me qytetarët.

“Po do të jem aktiv edhe përmes Facebook, sigurisht që ky eshtë nje mjet i rëndësishëm propagandistik, por ne do të bazohemi kryesisht në komunikimin e drejpërdrejtë me qytetarët” thotë Labënishti.

Më aktiv në këtë drejtim duket se është kandidati i PDSH-së për Strugën Ziadin Sela i cili e vlerson lartë komunikimin online. Sela thotë se komunikimi përmes rrjeteve sociale do të jetë një ndër shtyllat e kontaktit të tij me publikun duke mos përjashtuar edhe format e tjera të zakonshme të një fushate parazgjedhore.

“Natyrisht që ndryshimet teknologjike të komunikimit imponojnë forma të reja të komunikimit me opinionin, kshuqë pjesë e kampanjës sonë do të jetë edhe kjo formë e komunikimit ashtu siç e praktikuam edhe në zgjedhjet e kaluara parlamentare. Ekipi im tashmë ka hapur një profil që quhet “Ziadin Sela faqja zyrtare”, përmes së cilit ne komunikojmë me opinionin publiki në lidhje me zhvillimet në vend. Kjo faqe sigurisht që do të jetë aktive edhe pas zgjedhjeve kur unë të jem kryetar i komunës së Strugës” u shpreh Sela për Portalb.

Ekspertët vlersojnë se përmes fushatës online pritet që votat të vinë nga qytetarët më të rinj, të cilët nuk shikojnë televizion, nuk lexojnë gazeta dhe nuk janë pjesmarrës nëpër tubimet klasike të partive politike, por kalojnë një kohë të gjatë në mediat sociale me çka u jepet rasti që të njihen me programet e partive dhe kandidatëve në zgjedhje. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button