Veljanovski i fton organizatat e huaja t’i mbikëqyrin zgjedhjet lokale

Pas caktimit të zgjedhjeve lokale për më 24 mars, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Trajko Veljanoski, sot u bëri thirrje institucioneve relevante ndërkombëtare që të bëjnë vëzhgimin e zgjedhjeve dhe për këtë ta njoftojnë Komisionin shtetëror zgjedhor, i cili e konfirmon procedurën për ndjekjen e zgjedhjeve.

Veljanoski dërgoi njoftim të tillë dhe ftesë deri te kryetarët e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së Rikardo Milori, të Parlamentit Evropian Martin Shulc, të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës Zhan-Klod Minjon dhe të Asamblesë Parlamentare të NATO-s Hju Bejli, kumtoi shërbimi për informim i Kuvendit.

“Ftesa e vëzhguesve ndërkombëtarë si marrëdhënie kooperative e misionit të tyre paraqet kontribut të rëndësishëm për zgjedhje korrekte dhe demokratike dhe konfirmim të kapacitetit demokratik të institucioneve në Republikën e Maqedonisë”, theksoi Veljanoski.

Kryetari i Kuvendit më datën 11 të këtij muaji, në pajtim me kompetencat kushtetuese dhe ligjore, solli Vendim për shpalljen e zgjedhjeve për anëtarët e këshillave të komunave dhe këshillit të qytetit të Shkupit dhe për kryetarë të komunave dhe për kryetarë të qytetit të Shkupit, për 24 mars të këtij viti.

Në pajtim me nenet 161 dhe 162 nga Kodi zgjedhor, është paraparë se tërë procesin zgjedhor të mund ta vëzhgojnë organizata ndërkombëtare dhe përfaqësues të vendeve të huaja dhe shoqata të regjistruara të huaja dhe vendore të qytetarëve, në statutet e të cilave është paraparë parimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Lajme të ngjashme

Back to top button