Osmani kërkon nga KE të fillojë skrining bilateral me Maqedoninë e Veriut edhe përkrah bllokadës nga Bullgaria
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, tha se po bisedon me Komisionin Evropian, por edhe me të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian për vazhdimin e skriningut sqarues dhe fillim të atij bilateral me Maqedoninë e Veriut. Osmani në intervistë për 360 shkallë tha se, qëllimi është që të ruhet “ritmi” i institucioneve në vend, përderisa kërkohet zgjidhje për çështjet e hapura me Bullgarinë, transmeton Portalb.mk.
“Atë po mundohem ta flas edhe me vendet anëtare dhe me Komisionin Evropian në këtë periudhë, sepse vlerësoj se në atë mënyrë do të mbahet aktive institucionet. Ato janë periudha në kuadër të procesit negociues, megjithatë, nuk rregullohen në kornizën negociuese që të jenë të varura prej saj dhe do të mundej që këtë periudhë ta kompensojmë edhe me një pjesë të procesit negociues, ndërsa të gjejmë zgjidhje derisa bisedojmë me Bullgarinë”, tha Osmani.
I pyetur nëse akoma bëhen përpjekje për tejkalim të problemit me Bullgarinë në një të ardhme të afërt, marrë parasysh përshtypjen nga deklaratat e kryeministrit Zaev, Osmani tha se qasja nuk ndryshon, por kalendari.
“Kalendari ynë kishte një afat përfundimtar – dhjetor për hapjen e negociatave. Pasi që nuk pati sukses, tani vendoset një kalendar tjetër në të cilin me siguri do të ndikojnë zgjedhjet në Republikën e Bullgarisë, kështu që, ashtu duhet të vendoset edhe dinamika jonë, me atë që ne vazhdojmë, tentojmë të shfrytëzojmë çdo ditë për tejkalimin e dallimeve. Nuk kemi alternativë për raporte të mira fqinjësore, nuk kemi alternativë për rrugën drejt BE-së, kështu që, ne do të fokusohemi në dy çështje: vazhdimin e reformave, kjo assesi nuk guxon të ndikojë në ndonjë ngadalësim të reformave dhe përkushtimi ynë drejt rrugës evropiane dhe nevoja e raporteve të mira fqinjësore të cilat nuk janë vetëm vlerë e shtuar, por janë të rëndësishme në procesin e zgjerimit”, tha Osmani.
Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria kanë tensionuar raportet muajve të fundit, për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.
Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.
- LEXO: MPJ-ja e Bullgarisë: Vetoja e Çekisë dhe Sllovakisë dëmton kredibilitetin e BE-së
- LEXO: Republika Çeke dhe Sllovakia i vendosin “veto” propozimeve të Gjermanisë, nuk pranojnë termin “keqinterpretim i historisë”
- LEXO: Bullgaria konfirmoi veton, Qeveria e RMV-së: U tradhtuan vlerat evropiane dhe pritjet e qytetarëve tanë
- LEXO: Bullgaria kërkon që në konkludimet për Maqedoninë e Veriut të përfshihet edhe fjalia “interpretim i gabuar i historisë”
- LEXO: Zaharieva tha se nuk do të ketë “po” nga Bullgaria për RMV-në pa përfshirjen e garancive në kornizën negocieuese
- LEXO: Bullgaria me tri kushte për kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut
- LEXO: Takimi në Berlin me Dimitrovin, Osmanin dhe Zaharievën ka zgjatur pesë orë, Zaharieva: Nuk jemi në gjendje të miratojmë kornizën për MV