MPJ-ja e Bullgarisë: Vetoja e Çekisë dhe Sllovakisë dëmton kredibilitetin e BE-së

Ministria e Jashtme e Bullgarisë ka reaguar pasi, Çekia dhe Sllovakia nuk janë pajtuar që të miratohen konkludimet e BE-së për zgjerim.

“Bullgarisë i vjen keq që konkludimet e Këshillit të BE-së për procesin e asociacionit dhe stabilizimit u bllokuan papritur nga dy vende anëtare pa arsye gjatë këshillit për ambient jetësor të BE-së. Jemi të gatshëm të dëgjojmë shqetësimin që ka sjellë këtë vendim dhe t’i vazhdojmë përpjekjet tona për arritje të konsensusit për zgjerim”, kumtoi Ministria e Jashtme e Bullgarisë, transmeton Portalb.mk.

Nga kjo ministri, me të cilën udhëheq ministrja, Ekaterina Zaharieva, thanë se vetoja ndaj kokludimeve të Këshillit “rrezikon minimin e besimit në BE dhe të pengojë BE-në t’i dërgojë Ballkanit Perëndimor sinjalet shumë të nevojshme për stimulimin e reformave të domosdoshme që duhet t’i ndërmarrin vendet që dëshirojnë të anëtarësohen dhe kërkon që Këshilli të mundësoj miratimin e konkludimeve gjatë presidencës gjermane me Këshillin e BE-së, e cila përfundon më 31 dhjetor.

Në tekstin përfundimtar të konkludimeve, me kërkesë të Bullgarisë u vendos fraza “interpretim i gabuar i historisë”, por Çekia dhe Sllovakia vlerësojnë se ajo është e dëmshme dhe do të shkaktojë komplikime. “Nuk do të lejojmë që Bashkimi Evropian të jetë gjykatës i historisë sonë të përbashkët, si identifikohemi apo në çfarë gjuhe flasim”, thanë në deklaratë të përbashkët ministrat e Jashtëm të Çekisë dhe Sllovakisë, Tomash Petriçek dhe Ivan Korçok.

“Bullgaria miratoi konkludimet e Këshillit gjatë kohës së mbledhjes së COREPER II më 16 dhjetor, me çka presidenca gjermane arriti konsensus. Me insistim të Bullgarisë, në konkludimet u shtua fjalia për rëndësinë e marrëveshjeve të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë dhe Greqinë dhe se zbatimi i tyre do t’i jep fund të gjitha pretendimeve të interpretimit të gabuar të historisë. Gjatë kohës së mbledhjes, konkludimet u miratuan nga të gjithë”, thanë nga MPJ-ja bullgare.

Prej aty kanë sqaruar se konkludimet e Këshillit për zgjerim të BE-së nuk kanë asnjë lidhje me procesin e miratimin të kornizës negociuese të Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Republika Çeke dhe Sllovakia kanë përshëndetur përpjekjet e Gjermanisë në zgjerimin e BE-së, megjithatë, përmes një kumtese të dërguar dje, informuN se nuk mund të pranojnë me propozimet e Gjermanisë. Si problem kryesor e kanë fjalinë “keqinterpretim i historisë”. Këta shtete në një kumtesë të përbashkët shprehen se nuk do të lejojnë që BE-ja të gjykoje dikë për historinë, mënyrën si identifikohen ata dhe gjuhën që e përdorin

Ata këtë kumtesë e përfunduan duke thënë se ndjehen “jashtëzakonisht të zhgënjyera që kornizat negociuese të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë nuk janë miratuar”.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria kanë tensionuar raportet muajve të fundit, për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button