Hoxhaj kërkon njohjen e Kosovës nga Tunizia

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka qëndruar në vizitën e parë zyrtare të një lideri institucional të Kosovës në Tunizi, me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme të Tunizisë, Rafik Abdessalem.

Në këtë vizitë, në kuadër të lobimit për njohjen e Kosovës nga shtetet që ende nuk e kanë marrë një vendim të tillë, ministri Hoxhaj është pritur në takim zyrtar nga homologu Abdessalem, njofton Ministria e Punëve të Jashtme.

“Populli i Kosovës ka bërë përpjekje të vazhdueshme për kauzën e njëjtë politike sikurse populli i Tunizisë dhe është motivuar nga tre aspiratat të mëdha, siç janë dinjiteti njerëzor, drejtësia dhe liria. Prandaj, vendimi për njohjen zyrtare të Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran nga Qeveria e juaj, do të shihet si respektim i këtyre tre vlerave madhore për të cilat është përpjekur edhe vet populli tunizian”, ka thënë ministri Hoxhaj, gjatë takimit me ministrin Abdessalem.

Hoxhaj po ashtu theksoi se Tunizia e re do të manifestonte një politikë të jashtme të re edhe përmes shembullit të saj të njohjes së Kosovës.

“Ne si Qeveri e Kosovës jemi të interesuar që të zhvillojmë marrëdhënie bilaterale të gjithanshme ndërmjet vendeve tona, por para se të vendosen këto marrëdhënie është me rëndësi që Qeveria e juaj të marrë vendim që ta njoh Kosovën dhe unë ju jam shumë mirënjohës për ftesën që ta zhvilloj edhe vizitën e parë zyrtare si ministër i Jashtëm i Kosovës në vendin tuaj”, tha Hoxhaj.

Ministri i Jashtëm i Kosovës po ashtu e ka informuar homologun tunizian për shtetndërtimin e suksesshëm në Kosovë gjatë pesë vjetëve të fundit, për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar përmes shtimit të numrit të njohjeve si dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat e ndryshme ndërkombëtare.

“Ne si Kosovë i jemi mirënjohës Tunizisë për votën e dhënë për anëtarësimin e Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe jemi të interesuar që të kemi bashkëpunim të ngushtë ekonomik, tregtar, arsimor dhe kulturor ndërmjet vendeve tona”, ka thënë ministri Hoxhaj, gjatë takimit.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Jashtme i Tunizisë, Rafik Abdessalem, ka theksuar se vendimi për njohjen e Kosovës nga Tunizia është në etapën e fundit të koordinimit ndërmjet Qeverisë dhe Presidencës Tuniziane dhe është çështje kohe se kur kjo do të ndodhë.

Ministri Abdessalem po ashtu ka shprehur admirim për vlerat e përbashkëta të kauzës për liri dhe dinjitet, ndërmjet dy popujve.

Hoxhaj dhe Abdessalem kanë ndarë qëndrimin se njohja e Kosovës do të jetë vetëm fillimi i bashkëpunimit bilateral në fushën e ekonomisë dhe tregtisë, edukimit, kulturës dhe turizmit.

Ata po ashtu janë pajtuar se mosnjohja e Kosovës ka krijuar vetëm pengesa dhe barriera për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy popujve tanë.

Hoxhaj po ashtu ka ftuar për vizitë zyrtarë në Republikën e Kosovës, ministrin Abdessalem. Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës pas vizitave në Arabinë Saudite dhe Egjipt, gjatë qëndrimit në Tunizi, do të zhvillojë takime edhe me shumë personalitete, liderë politikë dhe institucionalë të këtij shteti. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button