De Biazi, 5 emra të rinj kundër Gjeorgjisë

Trajneri i kombëtares Xhani De Biazi po mendon seriozisht të grumbullojë të paktën pesë futbollistë të “rinj” në miqësoren e 6 shkurtit me Gjeorgjinë. Burime shumë të sigurta në Federatën Shqiptare të Futbollit bëjnë me dije se trajneri italian për miqësoren që do të luhet në “Qemal Stafa” muajin e ardhshëm ka një plan në mendje.

Sërish do të çojë ftesa disa lojtarëve që kanë refuzuar deri më sot ose nuk janë grumbulluar gjatë kësaj kohe që ai drejton Shqipërinë, si dhe elementët e rinj, që po luajnë në Europë.

Kështu nga lojtarët e vjetër De Biazi është duke menduar seriozisht të thërrasë, Edmond Kapllanin, Besart Berishën dhe Xhevahir Sukajn. Të tre po kalojnë një formë shumë të mirë sportive dhe po shënojnë pa fund. Problem për Kapllanin është vetëm dëmtimi i këtij fillim-viti.

Sa i përket Berishës, është në dorën e tij që të vendosë nëse do të jetë në Kombëtare. Faktikisht Australia është larg dhe ai një herë i ka refuzuar kuqezinjtë. Gjithsesi, veç këtyre tre futbollistëve në planet e italianit janë edhe dy të rinj. Bëhet fjalë për Ilir Azemin dhe Ergys Kaçen.

Të dy këta futbollistë do të jenë pjesë e kuqezinjve. Edhe pse më parë kanë refuzuar ata kanë pranuar të jenë në Kombëtare. Për të dy futbollistët pritet vetëm zyrtarizimi i ftesës, sepse tashmë e kanë të hapur portën tek Shqipëria.

Pra kjo miqësore e me Gjeorgjinë do t’i vlejë të ardhmes së kombëtares shqiptare, ku trajneri De Biazi ka treguar deri tani se është në rrugën e duhur për të bërë një rinovim rrënjësor të kuqezinjve. Miqësorja e 6 shkurtit i gjen kuqezinjtë jashtë etheve të merkatos dimërore dhe kështu do të jenë të përqendruar totalisht tek sfida me Gjeorgjinë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button