REL: Sllovakia, Çekia dhe Austria vlerësojnë se BE i bën shumë lëshime Bullgarisë për Maqedoninë e Veriut

Konkludimet e BE-së për Ballkanin Perëndimor nuk u miratuan as sot, pasi Sllovakia, Austria dhe Çekia janë revoltuar se BE i bën lëshime Bullgarisë, raporton Radio Evropa e Lirë, duke u thirrur në burime diplomatike. Këto konkludime janë miratuar në mënyrë të rregullt deri më tani në nivel ministror, por në mbledhjen e fundit të 8 dhjetorit të këtij viti kjo gjë nuk ndodhi, pasi i bllokoi Bullgaria, trasmeton Portalb.mk.

Presidenca gjermane duhet të gjente formulim të pranueshëm për të mundësuar miratim eventual të konkludimeve, por siç thanë burime diplomatike për REL, kjo çështje është hequr tërësisht nga agjenda, pasi sot disa vende kanë pasur ankesa për gjuhën e përdorur në kapitullin që ka të bëjë me raportet fqinjësore.

Ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së mbrëmë kanë harmonizuar tekstin përfundimtar, por një pjesë e vendeve anëtare të BE-së vlerësojnë se përfshirja e “kontekstit historik” në dokumentin zyrtar të BE-së krijon precedent.

Sipas burimeve të REL, Sllovakia me mbështetje të Çekisë dhe Austrisë, vlerësojnë se “i bëhen shumë lëshime Bullgarisë” në tekstin e dokumentit përfundimtar të konkludimeve.

Në tekstin përfundimtar theksohet se është e domosdoshme të implementohet Marrëveshja e Prespës dhe Marrëveshja për Miqësi, Fqinjësi të mirë dhe Bashkëpunim mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

“Këto dy hapa duhet t’i japin fund në mënyrë efikase të gjitha pretendimeve të bazuara të interpretim të gabuar të historisë”, qëndron në tekstin përfundimtar të konkludimeve, që ishte mjaftueshëm që Bullgaria ta miratojë.

Përpos miratimit të konkludimeve për Ballkanin Perëndimor, Bullgaria bllokoi edhe miratimin e kornizës negociuese për Maqedoninë e Veriut.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria kanë tensionuar raportet muajve të fundit, për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button