Nimic takohet me Ivanovin

Mediatori i kontestit mes Maqedonisë dhe Greqisë për emrin Methju Nimic sot në Shkup duhet që të takohet me kreun shtetëror të Maqedonisë ku pretet që të prezantojë ide të caktuara për tejkalimin e kontestit shumëvjeçar, pasi që pardje e bëri këtë edhe në Athinë. Nimic dje pas arritjes në Shkup deklaroi se punon siç duhet që të mund të shihet nëse mund të arrihet ndonjë përparim. 

Ndërmjetësi i KB-së sot në mëngjes do të takohet me shefin e diplomacisë Nikolla Popovski, ndërsa më pas edhe  me shefin e shtetit Gjorge Ivanov si dhe me kryeministrin Nikolla Gruevski.  Nimici pardje në Greqi pati takim me kryeministrin Andonis Samaras dhe me ministrin e Punëve të Jashtme, Dhimitris Avramopulos. 

Pas takimit ai deklaroi se Qeveria greke me sinqeritet të madh dëshiron ta arrijë marrëveshje për çështjen e emrit. Ai theskoi se kanë pasur “diskutim të shkurtër, por intensiv”, dhe informoi se ka paraqitur disa ide për të cilat kanë biseduar në detaje. “Nuk dua ta përdor fjalën propozim, por më shumë ide për të cilat biseduam në nëntor në Nju-Jork. Kam disa mendime të cilat i paraqita këtu. Të njejtën do ta bëj edhe në Shkup dhe të shohim se a do të mund të afrohemi”, tha Nimic. 

Ai theksoi se nuk mund të zbulojë çka ka prezantuar, por shprehu bindje se diskutimet mund të përshpejtohen dhe të arrihet “ndonjë zgjidhje”. Diplomatët grekë vizitën e Nimicit në Athinë e vlerësuan si shënim të “fazës shumë të re” të përpjekjeve të reja për zgjidhjen e kontestit, shkruan gazeta proqeveritare “Katimerini”. 

Gazeta potencon se burime nga Ministria e Punëve të Jashtme konfirmuan se Nimici nuk ka sjellë ndonjë propozim specifik por ka prezantuar “kornizë” e cila mund të përdoret që të gjendet zgjidhje. Mbi bazë të kësaj, të njëjtat burime shprehën optimizëm se propozimi që do ta parashtrojë Nimici në takimin e ardhshëm do ta përmbushë kërkesën e Greqisë për zgjidhje që do të përmbajë përcaktim gjeografik njofton zhurnal. 

Departamenti amerikan i Shtetit, megjithatë, u bën thirrje Maqedonisë dhe Greqisë që ta shfrytëzojnë vizitën e ndërmjetësit për kontestin me emrin Methju Nimic që të gjendet zgjidhje. 

“Qëndrimi ynë me vite më parë është se e mbështesim procesin e Kombeve të Bashkuara dhe shpresojmë që Maqedonia dhe Greqia do ta shfrytëzojnë që të gjendet zgjidhje për kontestin e emrit” deklaroi një përfaqësues i lartë i Departamentit të Shtetit. 

Nga selia e diplomacisë amerikane më tej nuk e komentojnë vizitën e Nimicit, me vlerësimin se presin të dëgjojnë çfarë ndërmjetësuesi do të ketë të thotë pas takimeve në Athinë dhe në Shkup.

Lajme të ngjashme

Back to top button