Të diplomuarit ikin nga Maqedonia, ankohen nga papunësia !

Çdo i dyti bursist i shkollës medicinale nuk mendon të qëndrojë në Maqedoni pasi të diplomojë, ndërsa 60 % nga studentët e anketuar mendojnë të vazhdojnë jashtë shtetit.

Deri te këto rezultate erdhi projekti ndërkombëtar “HealthGrouper”, nëpërmjet anketës së realizuar me studentët e vitit të parë në fakultetin e Medicinës në Shkup. 

 Në pyetjen “A do kishit qëndruar në Maqedoni pas mbarimit të studimeve?”,  47.7 % nga studentët kanë thëne Jo.

Nuk ishin të vetmit studentët e medicinës të cilët e kishin këtë qëndrim. Për Portalb folën disa studentë të UEJL-së të cilët po ashtu mendonin që zgjedhja më e mirë është që të dalin nga ky vend duke u arsyetuar se këtu nuk ka perspektivë.

“Do e kisha provuar fatin të punësohem jashtë këtij vendi, sidomos në vendet e Bashkimit Evropian e pse jo edhe në Amerikë. Këtu nuk ia vlen në këto rrethana të harxhojmë mund aspak”, tha D. Hajrullahu student në fakultetin e Administrimit publik.

“Nuk shpresoj të ndryshohen gjërat në të mirë këtu në Maqedoni, andaj shpresoj që të dal jashtë. Kam familje në vendet e Evropës dhe besoj se ardhmëria ime është atje. Edhe nëse nuk punësohem me diplomë, do punoj atë që do të mundem”, tha një student tjetër.

Kishte prej atyre të cilët nuk mendonin kështu, e sidomos kur për këtë temë flitnin femrat, të cilat nuk dëshironin të dalin jashtë vendit për të jetuar dhe punuar.

“Nuk e kam menduar asnjëherë që un të dal nga vendi për të jetuar dhe punuar. Shpresoj që karrierën time ta zhvilloj këtu, të kontribuoj këtu. Ndoshta do kisha dalë për një periudhë shumë të shkurtë vetëm të përjetoj një eksperiencë atje, mirëpo për periudha afatgjate jo”, tha Valbona Ramuka.

Në lidhje me këtë, për Portalb foli edhe sociologia Aneta Popilovska e cila tha se arsyeja e tendencës për emigrim tek të rinjtë është faktori socio-ekonomik, ndërsa interesi i vogël për emigrim tek femrat ka të bëjë me karakterin emocional të femrave.

“Ajo ndodh për shkak të gjendjes socio-ekonomike të shoqërisë. Ata kur të diplomojnë , do të gjejnë punë me paga mesatare me të cilat nuk do të munden të mbijetojnë vetë e mos të flasim për të krijuar familje. Ndërsa kur të dalin në ndonjë shtet tjetër të zhvilluar, ata me një pagë të vetme do të mund t’i mbulojnë të gjitha shpenzimet dhe të zhvillojnë një jetë më të mirë. Dhe mendoj se një gabim i tyre të cilët veç më janë të vendosur të dalin jashtë vendit, është se ata duhet të dalin që edhe studimet t’i kryejnë jashtë vendit”, tha Popilovska.

“Ndërsa sa i përket interesit më të madh për të emigruar nga ana e meshkujve se sa femrat, është sepse femrat janë më emocionale dhe janë të lidhura emocionalisht me familjen , rrethin e ngushtë e kështu me radhë. Ndërsa sa i përket meshkujve ata tradicionalisht janë ata të cilët duhet të kujdesen për familjen dhe për shtëpinë, dhe kjo e bën atë të obliguar që ai të sigurojë vendbanim për familje dhe për jetesë”, shtoi ajo.

Papunësia vazhdon të jetë pengesë dhe sfidë për të rinjtë e vendit. Të dhënat e entit shtetëror të statistikave, tregojnë se popullata aktive në Maqedoni numëron 936,256 persona, prej të cilëve 642,809 janë të punësuar, ose 68,7 për qind, ndërsa 293,448 persona ose 31,3 për qind janë të papunë. Këto janë të dhënat e vitit 2012, ndërsa në krahasim me vitin paraprak pra 2011, kjo përqindje është rritur për 2.5 përqind./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button