Kosovë, Shansi i veriut

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se takimi i radhës mes Hashim Thaçit dhe Ivica Dacicit do të jetë ndër ballafaqimet më të rëndësishme në procesin e bisedimeve.

Në një intervistë për “Express”, Hoxhaj ka thënë se secili duhet të jetë realist se riintegrimi i pjesës veriore nuk mund të bëhet pa dialog.

“Mendoj se takimi i radhës, që mbahet më 17 janar, do të jetë ndër takimet më të rëndësishme në dialogun në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Temë bosht e këtij takimi do të jetë shpërbërja e strukturave ilegale të sigurisë në veri të Kosovës dhe nga ky takim do të fillojë të krijohet një realitet i ri në pjesën veriore të Kosovës. Qëllimi jonë në këtë dialog është të mos ketë vetëm takime e marrëveshje të arritura, por mbi të gjitha të ketë implementim të marrëveshjeve të arritura deri më tash. Në të gjitha takimet, Kryeministri Thaçi ka insistuar që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura si dhe të lëvizim me një agjendë të shkurtë përpara. Rasti më i mirë është zbatimi i IBM-it, që është një sukses i madh sa i takon Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.

Sipas tij, secili duhet të jetë realist.

“Ne do të jemi realist. Çdokush që e dëshiron riintegrimin e tri komuna e gjysmë në Veri të Kosovës, duke përfshirë edhe komunën e pjesës veriore të qytetit të Mitrovicës – kjo gjë nuk mund të ndodhë dhe nuk ka mundur të ndodhë deri më tani për shkak të pranisë së strukturave ilegale të sigurisë, të policisë dhe të formacioneve tjera paramilitare të pranishme në këtë pjesë të Kosovës. Serbia i ka udhëhequr dhe financuar, i ka kontrolluar këto struktura për 13 vitet e fundit. Prandaj, edhe në krahasim me pjesët tjera, me Kosovën e tërë ku ne kemi mbërritur për 13 vite që ta integrojmë komunitetin serb në pushtetin lokal dhe në pushtetin qendror, situata që është krijuar në veri është një situatë tjetër. Në këtë drejtim ne jemi shumë të përkushtuar që ta riintegrojmë këtë pjesë të Kosovës me jetën institucionale të Kosovës, por jo vetëm të ketë integrim të popullatës serbe në institucionet e Kosovës, por të ketë edhe riintegrim ekonomik dhe social të tyre. Prandaj, ne do të dalim me një agjendë të zhvillimit socio ekonomik të Veriut të Kosovës”, ka thënë ministri.

Sipas tij, plani i Kosovës për riintegrimin për tri komuna e gjysmë në Veri të Kosovës është Pakoja e Ahtisaarit.

“Pakoja i parasheh të gjitha kompetencat, të gjitha të drejtat që mund t’i kenë komunat në veri të Kosovës. I parasheh të gjitha privilegjet që i ka komuniteti serb në veri të Kosovës. Dhe Kushtetuta e Kosovës nuk është asgjë tjetër veç se një inkorporim i Pakos së Ahtisaarit. Prandaj, kur ne themi që Kushtetuta e Kosovës, Pakoja e Ahtisaarit, ligjet e Kosovës në fuqi janë ato të cilat paraqesin një bazë edhe legale, edhe politike, edhe përmbajtjesore se si mund integrohet kjo pjesë e Kosovës në Kosovën e tërë. Kjo duhet të merret si e tillë pasi më e fuqishme është një kushtetutë sesa një dokument, i cili do të reflektonte një qëndrim afatshkurtër”, është shprehur Hoxhaj. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button