RMV, opozita shqiptare dhe ajo maqedonase nuk e përjashtojnë mundësinë për koalicion për zgjedhjet lokale (VIDEO)

Opozita shqiptare nuk e ka përjashtuar mundësinë që në zgjedhjet e ardhshme lokale, të cilat duhet të mbahen në vitin 2021, të garojnë në koalicion me VMRO-DPMNE-në.

Madje, lideri i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, i pyetur nëse do të bënte koalicion me VMRO-DPMNE-në, edhe pas asaj që ndodhi më 27 prill të vitit 2017, ku u ushtrua dhunë në Kuvend dhe Sela ishte deputeti ndaj të cilit u ushtrua më së shumti dhunë fizike, ai tha se nuk do ta mbaj peng ardhmërinë e qytetarë për shkak të asaj që ka ndodhur. Sela më tej shtoi se për atë që ka ndodhur më 27 prill nuk është përgjegjëse ndonjë parti politike, por individë të cilët dihen në opinion, shkruan Portalb.mk.

Foto Arbnora Memeti

“Ndodhitë e 27 prillit nuk janë të interesuara vetëm direkt tek unë dhe 27 prilli nuk do të ndikojë aspak që unë të mbaj peng perspektivën dhe ardhmërinë e fëmijëve tuaj. Në emër të ndodhisë së 27 prillit unë nuk e kam ndërmend që ët amnistojë politikat e gabuara të Zoran Zaevit. Në anën tjetër, nuk është që subjekte politike kanë bërë këto politike qoftë më 27 prill qoftë në ndodhitë tjera, ata janë individë të cilët kanë emër dhe mbiemër. Me sa kam unë informata por, edhe opinioni, ata janë shndërruar në partner biznesi të kryeministrit, Zoran Zaev”, deklaroi Sela.

Ndërkohë, lideri i VMRO – DPMNE-së, Hristijan Mickoski, duke folur për këtë, tha se i vjen keq për atë në të cilën ka kaluar Ziadin Sela si pasojë e ngjarjeve të 27 prillit.

“Unë si njeri asnjëherë nuk i kam ndarë dhe nuk i ndajë qytetarët e Maqedonisë në maqedonas, shqiptar, turq, vllehë, bonshnjak, rom apo të tjerë, por qytetarët që janë fqinj të mi apo miq dhe ashtu kam funksionuar. E vetmja gjë që neve na bashkon është lufta kundër pushteti aktual, lufta kundër korrupsionit dhe krimit.  Më vjen keq për atë që ndodhi më 27 prill dhe për gjithë atë në të cilën ka kaluar Sela dhe ajo asnjëherë të mos përsëritet”, deklaroi Mickoski.

Foto Arbnora Memeti

Në lidhje me mundësinë për koalicion, ai theksoi se momentalisht nuk sheh partner të mundshëm te BDI.

“Unë dua të bashkëpunojë me njerëz që e mbajnë fjalën dhe këtë momentalisht nuk e shoh te BDI. Pjesëmarrja e Selës dhe Gashit në këtë aktivitet, është hapi i parë drejt ndarjes së vlerave djathtiste në të cilat besojmë. Unë do të doja që ky bashkëpunim i yni të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe pse jo të kulminojë edhe në një koalicion politik para zgjedhjeve lokale”, tha Mickoski.

Nga ana tjetër, edhe Sela u shpreh se koalicionet ndërtohen mbi bazën e mirëbesimit ndërsa, kryeministri Zoran Zaev është politikan i cili nuk e mban fjalën e dhënë.

“Koalicioni ndërtohet mbi bazën e mirëbesimit, mirëbesimi ndërtohet mbi bazën e seriozitetit që ka  një lider partie mbi të gjitha dhe mbi bazën se sa ky lider parti u qëndron pas fjalëve që i thotë në opinion. unë mund të them një gjë, në qoftë se këtu në skenën politike të Maqedonisë së Veriut ka dikush që si qëndron aspak fjalës që e jep dhe i ndryshon fjalët edhe në raport me partnerët e koalicionit por edhe anëtarët brenda, është vetëm Zoran Zaevi”, tha Sela.

Ndërkohë, lideri i Alternativës, Afrim Gashi parimi kryesor i bashkëpunimit duhet të jetë ndërtimi i urave.

Foto Arbnora Memeti

“Parimi kryesor i takimit të sotëm dhe i veprimit tonë politik në të ardhmen do të duhet të jetë ndërtimi i urave. Nëse ne shtrijmë dorën e bashkëpunimit, ndërtojmë ura për interes të përgjithshëm, kur të vijë faza e organizimit të zgjedhjeve lokale ne do të ulemi fillimisht me Selën, pastaj edhe me partitë e tjera të shohim cila është më e mira për ne si shqiptarë, për vendin tonë dhe do të marrim vendime gjithmonë duke u nisur nga parimi që ta nxjerrim këtë vend nga kriza dhe të sjellim të mira të përgjithshme për të gjithë qytetarët.”, tha Gashi.

Nën organizim të fondacionit gjerman “Konrad Adenauer” në Shkup, u mbajt konferenca “Partitë popullore konservatore ndërtojnë ura drejt ardhmërisë së përbashkët evropiane”, ku morën pjesë edhe tre liderët, Mickoski, Sela dhe Gashi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button