RMV, Kuvendi ka vazhduar diskutimin për propozimin që Dobrila Kacarska të jetë gjykatëse e re në Gjykatën Kushtetuese

Kuvendi sot vazhdon diskutimin për propozimin që Dobrilla Kacarska të zgjedhet për gjykatëse në Gjykatën Kushtetuese. Kacarska është propozuar nga ana e Këshillit Gjyqësor, në fund të muajit shtator. Ajo duhet të vijë në vendin e gjykatësit, Vladimir Stojanovski, mandati i të cilit ka skaduar, transmeton Portalb.mk.

Deputeti nga VMRO-DPMNE Brane Petrushevski në fjalën e tij gjatë diskutimit, tha se Kacarska është personalitet kontrovers, e cila shpërblehet me këtë funksion për shkak të dëgjueshmërisë së saj në kryerjen e urdhrave të pushtetit.

“Fakti që kryetari i Këshillit Gjyqësor, Kire Zdravev nuk e ka elaboruar propozimin, flet se turpërohet nga ajo që që ka propozuar Këshilli Gjyqësor”, tha ai.

Ndaj kësaj ka replikuar deputeti i LSDM-së, Martin Kostovski, i cili tha se VMRO – DPMNE më së paku ka të drejtë të flet për gjyqësor të pavarur, pasi i gjithë opinioni ka dëgjuar se si janë dakorduar dhe dhënë urdhëra për vendime gjyqësore.

Kacarska është gjykatëse në Gjykatën Penale të Shkupit prej vitit 1986. Në mesin e lëndëve më të njohura që i ka gjykuar janë lëndët “Tanku” (Ku janë dënuar me burg ish kryeministri Nikolla Gruevski dhe ish ministrja e Brendshme, Gordana Jankulloska), “Transportuesi” (Ku u dënua ish kryetari i Komunës së Manastirit, Vlladimir Taleski), “Ryshfeti” dhe “Sulmi i organizuar në Kuvend më 27 prill të vitit 2017-të”.

Ndërkaq, në rend dite të kësaj seanca janë edhe ndryshimet për ligjin për sigurim privat, ndryshimet dhe plotësimet e ligjit për Regjistrin Qendror, ndryshimet dhe plotësimet e ligjit për parandalim të larjes së parasë dhe financimit të terrorizmi, si dhe ndryshimet e ligjit për dhënien e fletë obligacioneve të Maqedonisë së Veriut për denacionalizim, të gjitha në lexim të parë.

Nëse komisioni për financim dhe buxhet i shqyrton, Kuvendi mund të diskutojë edhe për propozimet e ligjit për mbështetje financiare për personat fizik të cilët kryejnë veprimtari të pavarur, që janë goditur nga kriza e shkaktuar nga Covid-19, për muajt tetor, nëntor dhe dhjetor 2020, për mbështetje financiare për punëdhënësit e goditur nga kriza e shkaktuar nga korona, për pagesën e pagave për muajt tetor, nëntor dhe dhjetor 2020.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button