Gjykata Speciale me aktakuzë ndaj Rexhep Selimit, reagoi Albin Kurti
Rexhep Selimi, deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe një nga figurat e para publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka njoftuar se ndaj tij ka një aktakuzë të konfirmuar nga Dhomat e Specializuara të Gjykatë Speciale, transmeton Portalb.mk.
“Po e ndjej për obligim t’ju njoftoj se nesër do të udhëtoj për Hagë (Holandë) që të përballem me këtë sfudë që i është vënë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, para së gjithash”, njoftoi Selimi.
Ai vlerësoi se në këtë udhëtim shkon me kokën lart, duke theksuar idealët e UCK-së mbi gjithçka.
“Mirë u takofshim në fitoren e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Kam ditur e do të di gjithmonë ta mbroj lirinë e popullit, shtetin e Kosovës dhe UÇK-në e lavdishme”, deklaroi Selimi.
Albin Kurti, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje ka reaguar në lidhje me rastin e Rexhep Selimit dhe bastisjen e shtëpisë së Jakup Krasniqit, duke e vlerësuar si “padrejtësi”.
“10-shi i luftës sonë çlirimtare, gjithnjë e ka mbrojtur UÇK-në sepse e ka kuptuar mirë dhe e ka dashur shumë atë, sepse e ka bërë publike dhe e ka afirmuar UÇK-në, sepse nuk është ndarë kurrë nga Jasharët e Prekazit, sepse asnjëherë pasluftës nuk ka votuar në dëm të luftës çlirimtare e të shtetit të Kosovës, të lirisë së popullit e të mirëqenies së qytetarëve”, u deklarua Kurti për Selimin. Ai theksoi se është krenar me Rexhep Selimin.