Vlerësimi ekstern, zhduk notat me hatër! Por sa teknikisht janë gati shkollat?

Vlerësimi ekstern ka për qëllim rritjen e kapaciteteve vlerësuese. Me këtë vlerësim edhe vetë angazhimi i stafit drejtues të shkollave do të jetë më i madh dhe më i përqendruar në efikasitet dhe korrektësi.

Drejtori i qendrës për vlerësim Jusuf Arifi, tha se këtë vit do të realizohet vlerësimi ekstern shkolla fillore të vendit dhe deri tek ata që mbarojnë vitin e tretë nëpër shkolla të mesme. Nga viti i ardhshëm testimit i nënshtrohen edhe maturantët.

‘Tek arsimtarët është krijuar një frikë e pa nevojshme. Vlerësimi ekstern është i paraparë me Ligj. Me ligj parashihet se testime duhet të realizohen tek nxënësit e klasës së katërt e deri tek ata të vitit të katërt. Maturantët e këtij vitit shkollor nuk do të kenë këtë vit vlerësim ekstern. Vlerësimi ekstrën do të bëhet në fund të majit për nxënësit prej klasës së katërt deri në vitin e tretë të shkollave të mesme’ tha Arifi.

Vlerësimi do të bëhet në dy lëndë, secili nxënës do të testohet dy herë, ndërsa secili arsimtarë të paktën një herë. Parashihet që arsimtarët e suksesshëm të shpërblehen, ndërsa të tjerët të dëmtohen në rrogë.

‘Pas rangimit të arsimtarëve, ata të cilët do të jenë të vlerësuar me 20 për qind në listën e rangimit si më të mirë, do të shpërblehen me 15 për qind të rrogës për një vit. Arsimtarët të cilët janë në listë me më pakë se 20 për qind do të ndëshkohen me 15 për qind për gjatë gjithë vitin e ardhshëm, me rrogë të dëmtuar. Kjo do të kenë ndikim edhe tek nxënësit, sepse nota e vlerësimit ekstern do të vihet në dëftesë me të cilën do të regjistrohen në shkolla të mesme’ tha Arifi.

Vlerësimi do të bëhet në mënyrë elektronike, por sa shkollat e vendit posedojnë kushte teknike, këtë duhet ta zgjidh MASH-i.

‘MASH, e ka për obligim të nxjerr listën e shkollave të cilat nuk kanë pajisje kompjuterike. Deri tani ne nuk e kemi atë informatë, ne bëjmë përgatitje për vlerësim ekstern elektronik në muajin maj. Si do ta zgjidhim ne këtë problem nëse hasim në shkolla të tilla, ne këtë si informatë ne nuk e kemi do të duhet të krijojmë qendra, për shembull do të ketë shkolla qendër me ato regjionale, atëherë do të bëjmë bartjen e nxënësve prej asaj shkolle kushtimisht deri në atë qendrore. Përsëri brenda rrethit do të ketë ndonjë shkollë që është e pajisur. Testimi duhet të realizohet brenda kohës së njëjtë, ne duhet ti kemi të dhënat se cilat janë shkollat që nuk kanë kushte’ u shpreh Arifi.

Ndryshe, në këtë vlerësim nuk do të përfshihen arsimtarët prej klasës së parë deri në të tretën, arsimtarët e lëndëve praktike nëpër shkolla të mesme si dhe arsimtarët të cilët në gjimnaze dhe shkolla fillore japin lëndë siç është edukata fizike, muzika dhe arti.

Deri tani asnjë shtet nuk ka realizuar vlerësimin eksern, Maqedonia është shteti i parë që bën këtë./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button