Tetovë, semafori i prishur, rrezik i lartë për fëmijët (FOTO)

Rreth 30 fëmijë për çdo ditë duhet ta kalojnë rrugën industriale në Tetovë për të shkuar në shkollën fillore më të afërt “Liria” që është rreth dy kilometra larg vendbanimit të tyre. Kanë kaluar më shumë se dy javë që semaforët në udhëkryqin në afërsi të spitalit të Tetovës nuk punojnë. Si pasojë, ky vendkalim është një ndër rrugët me rrezikshmëri të lartë si për këmbësorët po ashtu edhe për shoferët që kalojnë në këtë rrugë më të frekuentuar të qytetit.

Për banorët e lagjeve përreth dhe për nxënësit e shkollës “Liria” kjo rrugë paraqet një rrezik shumë të madh sepse para vendosjes së semaforëve në të njëjtën rrugë kishte madje dy aksidente në ditë me raste të vdekjes dhe shumë të lënduar. Banorët para pesë viteve protestuan pikërisht për këtë problem dhe kërkuan vendosjen e semaforëve që tani nuk funksionojnë.  

Në një prononcim për Portalb nga Komuna e Tetovës thonë se janë të njoftuar me këtë problem dhe se një ditë do ta zgjidhin.

“Ata semaforë janë dëmtuar nga një veturë e cila i ka goditur gjatë orëve të natës ndërsa shoferi është larguar. Kështu është dëmtuar sistemi qëndror  ku edhe kanë funksionuar këta semaforë. Për këtë arsye, tash duhet të gërmohet në të njëjtin vend dhe të bëhet rregullimi i tyre” thonë nga zyra për informim e komunës së Tetovës .


Ndërkaq nga policia e Tetovës thonë se për shkak të dëmtimit të semaforit nga një veturë e panjohur me datë 14 janar në ora 3 të mesnatës kanë pasuar aksidente automobilistike në ditët në vijim.

“Me datë 22 janar dy automjete në orët e  para të mëngjesit  kanë pësuar aksident ku për fat të mirë nuk ka pasur të lënduar por vetëm dëme materiale. E gjithë kjo është pasojë e mungesës së sinjalizimit rrugor” thonë nga SPB Tetovë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button