Krasniqit syri nuk i trembet për karierën e tij politike

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, megjithëse nuk ka marrë pjesë në Konventën e VI-të të Partisë Demokratike të Kosovës, nuk ndihet i rrezikuar për të ardhmen e tij politike. 

Duke folur pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Krasniqi ka deklaruar se karrierën e tij e përcaktojnë qytetarët e vendit.

I pyetur nga gazetarët rreth Konventës së PDK-së, e cila u mbajt të shtunën dhe të dielën, sekretari i deritashëm i PDK-së tha se qëndrimin e tij e ka bërë të ditur në letrën për opinionin publik.

“Më së paku kam menduar për vete dhe për postin tim. Mendoj që këtë duhet të keni të qartë edhe ju edhe ata që i informoni. Për karrierën time politike e kam pas thënë një rast dhe po e them, janë, qytetarët e Kosovës ata që e përcaktojnë”, ka thënë Krasniqi, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Zëdhënësi i PDK-së, Blerand Stavileci, është cituar nga mediat të ketë thënë se Jakup Krasniqi mund të shkarkohet nga detyra e kryetarit të Kuvendit. “Për të gjitha këto çështje do të vendoset pas numërimit të votave për Këshill Drejtues të PDK-së”, ka deklaruar Stavileci, transmeton Radio Dukagjini.

Por, i kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, Stavileci ka thënë se sekretarit të deritashëm të partisë nuk i rrezikohet pozita e kryeparlamentarit. “Nuk është përcaktuese radhitja në listat për Këshill Drejtues”, tha ai.

Por edhe nëse do të kishte ndonjë mocion për ndërprerjen e mandatit të kryetarit të Kuvendit, kjo nuk do të përkrahej nga Vetëvendosja dhe LDK-ja. Sipas Kushtetutës së Kosovës, për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit nevojiten dy të tretat e numrit të përgjithshëm të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, pra së paku 80 vota të deputetëve. 

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, ka thënë se PDK-ja mund të marrë iniciativa të tilla, por nuk do të kenë sukses.

Madje, Beqiri ka mirëpritur mundësinë e kthimit të Krasniqit në Lidhjen Demokratike të Kosovës, të cilës parti i ka takuar para luftës. “LDK-ja ka qenë dhe mbetet shtëpi e madhe”, është shprehur ai.

Kurse shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ka thënë se PDK-së po i pengon Krasniqi, ngase ai po sillet më shumë si kryetar i Kuvendit sesa si përfaqësues i PDK-së.
Edhe Vetëvendosje ka thënë se një iniciativë eventuale për shkarkimin e Krasniqit nuk do të përkrahet. 

“Ne konsiderojmë që Jakup Krasniqi është zgjedhur me shumicë votash të kërkuara në Kuvendin e Kosovës në momentin kur është zgjedh. Lëvizja Vetëvendosje ka qenë i vetmi grup parlamentar që nuk e ka votuar këtë zgjedhje të Jakup Krasniqit si kryetar. Megjithatë ne konsiderojmë që Jakup Krasniqi është kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe natyrisht që ne nuk do të përkrahim tendencën e kujtdo për të shkarkuar atë nga posti i kryetarit”, ka deklaruar Ymeri. 

Hyseni: Jakup Krasniqi ishte promotor i PDK-së 

Ndonëse jo prezentë, sekretari i deritashëm i Përgjithshëm i PDK-së, Jakup Krasniqi, sikurse dhe nënkryetari i saj, Fatmir Limaj, janë propozuar nga kryesia aktuale e PDK-së për anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të partisë. 

Të propozuar për Këshill Drejtues nga kryesia kanë ardhur 142 delegatë, ndër ta ministra, zëvendësministra, deputetë, këshilltarë dhe ish-ministra nga radhët e këtij subjekti politik. Pas propozimeve të kryesisë kanë ardhur edhe propozimet nga degët e partisë, ku secili kryetar ka propozuar emrat nga degët përkatëse.

Por, jashtë kësaj liste ka mbetur një përkrahës i Jakup Krasniqit dhe anëtar prej themelimit i PDK-së – Hydajet Hyseni. 

Vetë Hyseni ka konfirmuar se arsyeja kryesore pse mungoi në Kuvendin Zgjedhor, dhe rrjedhimisht nuk do të jetë edhe më tutje pjesë e strukturave të PDK-së, është përkrahja me Krasniqin.

Deputeti i PDK-së në Kuvendin e Kosovës, dhe tashmë ish-anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së, Hydajet Hyseni, tha u kontaktua dy herë nga anëtarët e PDK-së refuzoi të futej në kandidim për Këshill Drejtues.

“Në Kongres kam munguar për çështje parimore dhe procedurale”, i tha ai Gazetës Jeta në Kosovë.

“Gjithsesi se po. Madje kjo mund të merret si arsye e mjaftueshme për mungesën time”, shtoi Hyseni, i pyetur nëse mungesa e tij mund të merret si mbështetje ndaj vendimit të Jakup Krasniqit për të bojkotuar punimet e Konventës.

“Jakup Krasnqi ka qenë njëri ndër themeluesit e partisë. Ai ka qenë promotor i PDK-së”, u shpreh ai.

Lajme të ngjashme

Back to top button