Filipçe: Situata është alarmante, pres që Kuvendi t’i miratojë urgjentisht ndryshimet ligjore

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe për herë të tretë bëri apel se situata me korona virusin në Maqedoninë e Veriut është shumë serioze dhe pret nga deputetët që nesër me procedurë urgjente dhe të përshpejtuar t’i miratojnë të gjitha masat dhe ndryshimet ligjore, raporton Portalb.mk.

Apeli i Filipçes vjen pas statistikës së mbrëmshme, kur vendi regjistroi 22 viktima me covid – 19, që është numri më i madh ditor deri më tani, ndërsa 30 për qind e të testeve ishin pozitiv dhe pothuajse 600 pacientë janë të shtrirë në repartet infektive në spitalet në vend.

Seanca në Kuvend është caktuar për nesër, ndërsa në rend dite janë ndryshimet në Ligjin për mbrojtje shëndetësore të populatës nga sëmundje infektive me të cilat do të mundësohet zbatim më efikas i inspektimeve me qytetarët e padisiplinuar i personat juridik (objektet hotelierike). Ndryshimet e ligjit nuk ishin në rend dite në seancën e 20 tetorit, sepse VMRO-DPMNE kërkoi kohë t’i shqyrtojë. Me ndryshimet e reja, mbajtja e maskës do të jetë e domosdoshme në ambiente të hapura, ndalohet grupimi në ambiente të hapura pas orës 22 dhe lejohen vetëm 4 mysafirë nëpër shtëpi.

“Situata me virusin është jashtëzakonisht serioze dhe kritike, presioni ndaj spitaleve dhe kuadrit medicinal është shumë i madh”, ka shkruar mbrëmë Filipçe në profilin e tij në Facebook.

Ai vlerëson se VMRO-DPMNE me bllokimin e ndryshimeve të këtij ligji, e dëmton shëndetin e popullatës.

“Ky është një tentim i paramenduar dhe tendencioz për pikë të politikës ditore, i cili dëmton direkt shëndetin e popullatës. Nga fillimi i krizës së koronës në vend, nga opozita nuk kemi parë asgjë tjetër përveç veprimit jokonstruktiv, obstruksione dhe kritika ndaj të gjithëve që japin përpjekje maksimale në ballafaqimin me virusin në vend. Zëvendësministrja e financave nga radhët e VMRO-DPMNE-së në qeverinë teknike, me muaj ka zvarritur dhe nuk e ka nënshkruar huamarrjen nga Banka Botërore. Diskreditimi i vazhdueshëm i Komisionit për Sëmundje Infektive, është edhe një veprim në vargun e veprimeve me të cilat e konfirmojnë politikën e tyre destruktive është fakti se gjëja e fundit për të cilën mendojnë është shëndeti i qytetarëve, duke nënçmuar edhe ekspertizën e anëtarëve dhe mundin e tyre në ballafaqimin me krizën”, tha Filipçe.

Ministrit të Shëndetësisë më 21 tetori tha se kërkesa e VMRO-DPMNE-së për formimin  e një komisioni  të ri të cilin do ta zgjedhë Kuvendi, është mënyrë për të treguar kujdes dhe konstruktivet të pretenduar, ndërsa ai propozim në të vërtetë është tërësisht i paqëndrueshëm.

“Kjo është një përpjekje e menduar dhe tendencioze për pikë të politikës ditore e cila drejtpërdrejt rrezikon shëndetin e popullsisë. Që nga fillimi i krizës me kovidin në vend, nga opozita nuk pamë asgjë tjetër përveç veprime jokonstruktive, pengesa dhe kritika për të gjithë ata që japin përpjekje maksimale për menaxhimin e virusit… Kërkesa për të formuar një Komision të ri të cilin do ta zgjedhë Kuvendi si një mënyrë që gjoja të tregojnë shqetësim dhe konstruktivitet, është e pabazë. Në Komisionin për sëmundje ngjitëse anëtarë janë profesionistë të lartë, ekspertë në fushën e tyre”, deklaroi Filipçe.

Ndërkohë, koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski ka thënë në një deklaratë për SDK ditë më parë se, partia do të sigurojë kuorum në seancë, por nuk do të votojë “për” por “e përmbajtur”, sepse, siç ka thënë ai, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, pa arsye e akuzon gjithë grupin parlamentar se i bllokon ndryshimet.

Që nga fillimi i pandemisë, momentalisht numri i përgjithshëm i të diagnostikuarve me virusin korona është 26.954, i të shëruarve 18,627, që kanë ndërruar jetë 919 kurse aktualisht numri i rasteve aktive është 7.408.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button