Fitova tender nga qeveria, Janakieski dhe Bozhinovski më kërkuan 15.000 euro, tha pronari i kompanisë dëshmitar në rastin “Talir”

Seanca e sotme gjyqësore për rastin “Talir” për financimin e paligjshëm të VMRO-DPMNE dhe pastrimit të 5 milion eurove filloi me gjobë për avokatin Donçe Nakov me 500 euro nga gjykatësi për krim të organizuar, Osman Shabani. Seanca e fundit u shty sepse përfaqësuesi i partisë së akuzuar dhe zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkovski nuk erdhën, sepse siç arsyetoi Nakov, ai ishte sëmurë, shkruan SDK, njofton Portalb.mk.

“Avokati tha se ai do të parashtronte vërtetim mjekësor në gjykatë si dëshmi e asaj që i tha klienti-përfaqësuesi i partisë. Nakov nuk e ka bërë atë deri më sot dhe unë thashë në seancën e kaluar se unë jap urdhër për shoqërim të tij me polici nëse nuk sjell dokumentacion në gjykatë. Për shkak të kësaj, përfaqësuesi u ndalua. Gjykata gjobiti avokatin Donçe Nakov me 500 euro në kundërvlerë në denarë”, tha gjykatësi Shabani.

“E pranoj dënimin, nuk do të ankohem,” tha avokati.

Sot dëshmoi një nga pronarët e kompanisë nga Kavadarci “Urban Invest”, i cili tha se ai personalisht kishte marrë urdhër nga të pandehurit Mile Janakieski dhe Kirill Bozhinovski për të dhënë 15 mijë euro nga xhepi para zgjedhjeve.

Jovan Grkov, menaxher dhe një nga pronarët e kompanisë “Urban Invest”, tha se ai kishte fituar tenderë për aktivitete ndërtimore nga Qyteti i Shkupit dhe komunat e tjera.

Kur u pyet nga prokurorja Lençe Ristoska, nëse dikush nga VMRO-DPMNE kishte kërkuar para prej tij, gjegjësisht nga ndërmarrja, avokatët e të gjithë të pandehurve u ankuan se pyetja ishte për të orientuar dhe ndikuar mbi dëshmitarin, kështu që ajo e riformuloi atë, por erdhi përgjigja e dëshiruar.

“Diku para zgjedhjeve, pranova një mesazh me tekst nga Marjani, kryetar i komitetit komunal VMRO-DPMNE në Qendër. Ai më shkroi se duhet të shkoj në Qeveri. Në kohën e caktuar kur shkova, ata më thanë para cilës zyrë të shkoja. Kam pritur, më thirrën Mile Janakieski dhe Kiril Bozhinovski. Takimi ishte i shkurtër, ata më thanë se kam një detyrim të jap 15.000 euro. Më thanë t’i dorëzoja në personit Marjan. Nuk më thanë pse duhet t’i jepja paratë. Disa ditë më vonë, ia dorëzova ato 15.000 euro Marjanit. Ia dhashë në dorë. Nga Marjani nuk kam marrë një dokument për paratë që kam dhënë”, iu përgjigj dëshmitari pyetjeve të Ristoskës.

“A rezistuat?”, Vazhdoi ajo.

“Jo, sepse e dija që duhej ta bëja atë”, tha dëshmitari.

Mbrojtësit e të pandehurve më pas parashtruan pyetje të kryqëzuara për nevojat e mbrojtjes.

“Talir”

Ky rast ka të bëjë me financimin e paligjshëm të partisë politike VMRO-DPMNE.

Akuza për financimin e paligjshëm të VMRO-DPMNE e ngarkon ish liderin e saj, Nikolla Gruevskin për abuzim të pozitës dhe autoritetit zyrtar dhe për pastrim parash dhe përfitime tjera në bazë të veprave penale. Gruevski u arratis në Hungari dhe po gjykohet në mungesë në të gjitha proceset.

Kirill Bozhinovski dhe Mile Janakieski, i cili është në arrest shtëpiak, akuzohen gjithashtu për të njëjtat dy krime, të dënueshme me burgim.

Ilija Dimovski dhe Leko Ristoski akuzohen për pastrim parash dhe të ardhura të tjera. Elizabeta Çingarovska, e cila e pranoi fajin është e akuzuar gjithashtu. Partia VMRO-DPMNE, si person juridik, akuzohet gjithashtu për pastrim parash dhe të ardhura të tjera.

Thuajse 4.9 milionë euro janë larë.

“Paratë e fituara në mënyrë të paligjshme janë shfrytëzuar për shlyerjen e obligimeve të cilët një pjesë e të dyshuarve i kanë marrë në emër të partisë. Me këto para kanë paguar llogari, hotele, është blerë pronë dhe ngjashëm”, thanë nga PSP kur e hapën këtë rast.

LEXO: Prokuroria Speciale kërkon ngrirje të pronës së VMRO-DPMNE-së

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button