Tetovë, trotuaret e shkollës fillore “Naim Frashëri” parking për vetura, nxënësit të detyruar të ecin në rrugë

Përderisa në trotuaret e shkollës fillore “Naim Frashëri” ka vetura, dru që shfrytëzohen për nxehje, biçikleta, nxënësit detyrohen të ecin në rrugë dhe kjo përbën rrezik për sigurinë e tyre. Nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk premtuan se ky problem do të zgjidhet brenda 1 jave ndërkaq nga Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Tetovë, informojnë se për katër vite gjithsej 308 këmbësorë janë lënduar nga veturat, shkruan Portalb.mk.

Përveç probleme infrastrukturore në afërsi të shkollave fillore në Komunën e Tetovës, nxënësit përballen edhe me mospasjen e mundësisë të ecin në trotuar gjatë rrugëtimit të tyre të përditshëm për në shkollë, kjo për shkak se trotuaret janë të mbushura me vetura të parkuara.

Kështu dukej sot trotuari ngjitur me shkollën fillore “Naim Frashëri” në Tetovë:

Trotuaret në shkollën fillore "Naim Frashëri", Tetovë.
Trotuaret në shkollën fillore “Naim Frashëri”, Tetovë.

Për këtë, nga Komuna e Tetovës premtuan për Portalb.mk se ky problem do të zgjidhet brenda shtatë ditëve, të njëjtit thanë se do të vendosin bllokada të cilat nuk do të lejojnë parkimin e veturave.

Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës
Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës

“Në disa prej shkollave fillore kemi vendosur bllokada që ndalojnë parkimin e veturave në trotuare, javën e kaluar i vendosëm te shkolla fillore “Kirili dhe Metodi”. Ndërkaq sa i përket shkollës fillore “Naim Frashëri”, të shtunën do të dalin punëtorët për matje dhe besojmë se brenda 1 jave do të vendosen të njëjtat” thanë nga Komuna e Tetovës.

Ndërkaq nga Sektori për Punë të Brendshme (SPB) na informuan se tre vitet e fundit ka pasur rritje të butë të numrit të këmbësorëve të cilët janë lënduar nga automjetet, bëhet fjalë për gjithsej 308 këmbësorë për 4 vite.

  • 2017 – dy viktima, 67 këmbësorë me lëndime të lehta trupore, 18 këmbësorë me lëndime të rënda trupore.
  • 2018 – një viktimë, 72 këmbësorë me lëndime të lehta trupore, 18 këmbësorë me lëndime të rënda trupore.
  • 2019 – dy viktima, 74 këmbësorë me lëndime të lehta trupore, 16 këmbësorë me lëndime të rënda trupore.

Marrë parasysh se ende nuk ka mbaruar viti 2020, deri tani gjithsej janë regjistruar 38 këmbësorë të lënduar nga automjetet në Tetovë.

Ndërkaq një javë më herët në sallën e madhe të Komunës së Tetovës u diskutua për sigurinë e nxënësve në shkolla, ku në mes të tjerash, si rrezik potencial dhe më i madh u përmend komunikacioni në qytet. I pranishëm në atë debat ishte edhe drejtori i shkollës fillore “Naim Frashëri” i cili në mes të tjerash tha:

Xhelal Alili, drejtor i shkollës fillore "Naim Frashëri", Tetovë.
Xhelal Alili, drejtor i shkollës fillore “Naim Frashëri”, Tetovë.

“Nga viti i kaluar kam qenë anëtar i një komisioni për komunikacionin në Tetovë, dhashë dorëheqje pa marrë pjesë në mbledhje fare për shkak se e pashë të pamundur që unë si qytetar i thjeshtë mund të ndikoj në përmirësimin e situatës me komunikacionin në Tetovë. Për këtë arsye edhe i pyeta të Sektorit për Punë të Brendshme për atë se çfarë bëjnë ata? Ata mund të bëjnë shumë, por si duket o nuk kanë mjete të duhura o nuk duan.  Çdo fillim të vitit shkollor unë dërgoj kërkesë në organet kompetentë për këtë që të kemi policë në shkollë, kam kërkuar të vendoset sinjalizimi duhur, sinjalizimi u vendos mirëpo polic nuk shoh. Ne kemi nevojë për policë lokal që ti njohim dhe ti njohim kush janë” tha Xhelal Alili, drejtor i “Naim Frashëri”.

Ndryshe, situata me kryerjen e veprave penale, gjegjësisht të prishjes së rendit dhe qetësisë publike në dhe përreth shkollave vit pas viti vjen duke u përmirësuar, kështu flasin të dhënat e Sektorit për Punë të Brendshme. Gjatë vitit 2013 në dhe përreth shkollave gjithsej ishin regjistruar 40 vepra të prishjes së rendit dhe qetësisë publike, në vitin 2018-2019 gjithsej 6 prishje të rendit dhe qetësisë publike ndërkaq në vitin 2020 asnjë rast i tillë nuk është regjistruar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button