Në Tetovë janë caktuar mbi 40 vendndalesa, por autobusë ende nuk ka

Në Komunën e Tetovës autobusë për transport publik nuk ka, megjithatë, përcaktimi i lokacioneve për vendqëndrimet dhe vend-kthimet e autobusëve janë gati, edhe atë, janë paraparë gjithsej 45 lokacione në të gjithë territorin e komunës. Rikujtojmë se procedura për sigurimin e pesë autobusëve është kthyer në pikën 0, shkruan Portalb.mk.

Komuna e Tetovës njihet si qytet me transport dhe infrastrukturë të mbingarkuar ndërsa hapësirat publike të lira janë shumë të vogla apo minimale. Kësisoj, edhe zgjedhja e vendndalesave dhe vend-kthimeve të pesë autobusëve të cilët premtohen nga kryetarja Teuta Arifi kanë hasur në probleme.

Ku do të jenë të vendosura vendqëndrimet dhe vend-kthimet e autobusëve?

Gjithsej nga Komuna e Tetovës janë paraparë 45 lokacione në gjithë territorin e qytetit, megjithatë, fillimisht do të vendosen vetëm 10 kurse vitin e ardhshëm planifikohet vendosja në funksion i të gjitha lokacioneve.

Teuta Arifi
Teuta Arifi

“Me vendimin për përcaktimin e lokacioneve për vendqëndrimet dhe vend kthimet e autobusëve në Komunën e Tetovës, i miratuar nga ana e Këshillit të komunës së Tetovës, janë paraparë 45 lokacione në të gjithë territorin e komunës, mirëpo për këtë vit fillimisht do të vendosen në funksion vetëm 10 prej tyre me qëllim që të jetë si pilot projekt dhe të parashihet si do të funksionojë ndërsa vitin e ardhshëm do të vendosen në funksion të gjitha lokacionet e parapara në bazë të vendimit” theksuan nga Komuna e Tetovës.

Portalb.mk mëson se lokacionet që fillimisht do të jenë në funksion janë nga hyrja e qytetit prej te “Monopoli” deri në sheshin “Iliria” dhe e dyta është prej sheshit “Iliria” deri te Universiteti i Evropës Juglindore.

Si do të funksionojnë këta vendndalime dhe kush do i paguajë?

nëntor të vitit 2018 kompania e quajtur “4 all media” me seli në Shkup i ofroi Komunës së Tetovës 45 nënstacione autobusi me çmim prej 96.00.00 denarësh pa TVSH. Kjo u quajt si donacion nga kompania.

Megjithatë, në nenin 3 të këtij dokumenti shpjegohej që në rast të pranimit të këtij propozimi, Komuna e Tetovës detyrohej që donatorit të i mundësoje hapësire reklamuese për dhjetë vite radhazi, me mundësi vazhdimi të periudhës së reklamimit.

Kjo e fundit ngjalli debat në Këshillin Komunal të Komunës së Tetovës ku me datë 13 nëntor, këshilltari nga radhët e Aleancës për Shqiptarët, Arif Selami, propozoi heqjen e këtij neni nga dokumenti.

Arif Selami, këshilltar nga radhët e Aleancës për Shqiptarët.
Arif Selami, këshilltar nga radhët e Aleancës për Shqiptarët.

“Nuk mund të llogaritet donacion, kur në kundërvlerë të kësaj, komuna obligohet apo ngarkohet që donatorit t’i japë të drejtë të shfrytëzimit të këtyre hapësirave për përfitim nga reklamat për një periudhë prej 10 viteve, unë propozova që ky nen të largohet nga dokumenti në mënyrë që donacioni të marrë kuptimin e vetë” kishte deklaruar këshilltari i ASH-së, Arif Selami, në vitin 2018.

Ndërkaq menjëherë pas kësaj, procedura për dhënien e vendndalesave është ndërprerë në Këshill dhe vendosjen e këtyre të fundit do ta bëje fillimisht komuna me mjete vetanake.

“Procedura për dhënien e donacionit për pesë autobusët është ndërprerë në këshill dhe nuk ka asnjë procedurë tjetër të ngjashme. Tash procedura që bëhet për vendosjen e vendndalesave për autobusët bëhet drejtpërdrejt nga komuna për nevoja të qytetarëve, nuk është donacion” thanë nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk.

Premtimin për transportin publik në Tetovë, kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi e dha në mandatin e saj të parë në Programin për zgjedhje lokale të vitit 2013 “Ndërtojmë së bashku“,  ndërsa të njëjtën e përsëriti dhe në debatin e organizuar nga “BIRN Kosovë” dhe “Portalb.mk” në tetor të vitit 2017. Ky premtim i Arifit nuk është realizuar. 

Nga ana tjetër, Komuna e Tetovës në shtator të këtij viti për herë të dytë e ka themeluar ndërmarrjen për transport publik “Tetova Transport”, pasi e para nuk ka arritur të vihet në funksion dhe e njëjta ka pushuar së vepruari automatikisht shkaku i afateve ligjore për funksionalizim të së njëjtës, kurse në mbledhjen e fundit të Këshillit Komunal, u votua edhe statuti i kësaj ndërmarrje.

Ndryshe, është anuluar procedura për prokurimin publik të pesë autobusëve në Komunën e Tetovës, të cilët premtohen tash 9 vite nga kryetarja Teuta Arifi, marrë parasysh se kjo e fundit është në fund të mandatit të saj të dytë. Arsyeja për anulim është “mungesa e ofertuesve që plotësojnë kushtet”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button