Eliza Dushku dhe nëna e saj ndihmojnë Ugandën

Me siguri shume pak prej fansave te Eliza Dushkut, e ndoshta edhe asnjëri prej tyre, nuk kanë asnjë ide për punën e aktores në Uganda të Afrikës Lindore. Dhe kjo është e kuptueshme: organizatat joqeveritare nuk janë as përafërsisht aq seksi sa Eliza, sidomos në rolet e saja në “Buffy Slayer Vampire ” dhe “Dollhouse”.

Megjithatë, Eliza dhe nëna e saj, profesoresha Judy Dushku nga Suffolk University, muajin e ardhshëm do të jenë në Brandeis për të mbajtur fjalimin kryesor në festivalin vjetor të shkollës së drejtësisë sociale. Ata do të flasin për THRIVEGulu, organizata e tyre jofitimprurëse në Ugandë, e cila është e përqendruar në ndërtimin dhe operimin e një qendre shërimi dhe rehabilitimi nga  traumat, në Gulu, në veri të Ugandës.

Projekti erdhi si pasojë e një udhëtim që Judy Dushku bëri në vendin e Afrikës Lindore me studentët e saj në vitin 2009. Ndërsa vet Eliza ka qenë atje tashmë tre herë. Qëllimi i THRIVEGulu është të ndihmojë njerëzit e Ugandës të rimëkëmben pas traumave të luftës, skllavërimit seksual, varfërisë ekstreme, dhe mundësive të humbura.

“Nëna ime është absolutisht heroi im dhe kanë kaluar vite qëkur jemi përpjekur të ndërtojmë dhe përsosim raportin nënë-bijë”, u shpreh Eliza Dushku këtë javë. “Pesë vitet e fundit kanë qenë me të vërtetë të jashtëzakonshëm, duke punuar me nënën time, duke e ndjekur dhe duke mësuar nga ajo”.

“Nuk ka pasur gëzim më të madh në jetën time se sa të punoj me nënën time,” thotë Eliza.

Momentalisht Eliza Dushku ndodhet ne Los Anxhelos, ku ajo është duke punuar filmin e saj të ri “The Saint” (I shenjti). Filmi paraqet një version të ri të bazuar në serinë televizive nga vitet ’60 në të cilën aktori i mirënjohur Roger Moore, luante rolin e hajdutit që vidhte të pasurit dhe ndihmonte të varfrit. Në versionin e ri, aktori Adam Rayner e luan këtë rol, ndërsa Eliza është e dashura dhe partnerja e tij në krim.


Edhe pse Massachusetts-i (SHBA), për shqiptarët që nuk ndodhen në SHBA  është shumë larg, ndoshta dikush nga fansat ka dëshirë të marre pjesë në këtë manifestim. Ngjarja është në Brandeis,  më datë 6 shkurt. Hyrja është e lirë dhe e hapur për publikun, por duhet të rezervohen biletat me mail në [email protected]

Lajme të ngjashme

Back to top button