Itali, tërmet në Toskanë-Rexhio Emilia

Një tërmet 6-ballësh (magnitudë 5 sipas shkallës riechter), tronditi provincën italiane të Toskanës rreth orës 15:50 të së premtes. 

Disa minuta më vonë, një goditje e dytë goditi Rexhio Emilian, duke u ndjerë fuqishëm në qytetet kryesore të krahinës, Bolonja dhe Modena.

Lëkundjet u ndienë edhe në kryeqendrën e veriut, në Milano, ku sipas “Corriere della Sera”-s, shumë banorë kanë braktisur shtëpitë e tyre nga frika e lëkundjeve të reja.

Aktualisht, nuk ka informacione për dëme materiale apo në njerëz, ndërsa epiqendra është identifikuar në dhjetë kilometra thellësi, në një zonë midis Toskanës dhe lokalitetit të Garfagnanës.

Në muajt maj dhe qershor të vitit të shkuar, Rexhio Emilia u trondit nga dy tërmete të fuqishme, të cilët i morën jetën 29 personave dhe shkaktuan qindra milionë euro dëme ekonomike.

Në disa prej zonave të dëmtuara nga ky tërmet, rindërtimi nuk ka përfunduar ende.

Pothuajse i gjithë territori italian konsiderohet një zonë sizmike, ndërsa tërmeti më i rëndë i shekullit të XXI u regjistrua në vitin 2009 në qytetin abrucez të L’Akuilës, ku një tërmet me magnitudë 6,3 sipas shkallës rihter, shkatërroi pjesën më të madhe të qytetit me 70 mijë banorë, duke i marrë jetën 293 njerëzve./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button