Monumenti ndan shqiptarët në Preshevë

Pasi Beogradi largoi një memorial të luftëtarëve shqiptarë në Preshevë, disa vendas bëjnë thirrje për dialog politik, por të tjerët refuzojnë bashkëpunim me qeverinë.

Disa liderë shqiptarë kanë kërkuar bisedime me Beogradin, pasi autoritetet dërguan policinë në Preshevë për të larguar me forcë monumentin kontrovers, duke shkaktuar kështu protesta në qytetin jugor të Serbisë.

“E humbëm shansin për kompromis dhe duhet të flasim”, tha Riza Halimi, anëtari i vetëm shqiptar në parlamentin serb.

Por, të tjerët, përfshirë aktivistët politikë dhe ish-guerilët që luftuan që zona të bashkohej me Kosovën gjatë konfliktit të shkurtër në vitin 2000, thanë se duan të ngrijnë marrëdhëniet me autoritetet serbe dhe të krijojnë një sistem paralel qeverie.

“Nuk mund të veprojmë sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe mendoj se duhet të ndërpresim çdo lidhje me qeverinë qendrore. Na trajtojnë si qytetarë të shkallës së dytë”, tha Belgzim Kamberi, drejtori i Këshillit të të Drejtave të Njeriut në Preshevë.

Rreth 200 forca policore hynë në Preshevë orët e para të 20 janarit për të rrëzuar monumentin e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, që vdiqën në konfliktin e vitit 2000.

Qeveria e Beogradit këmbënguli se monumenti promovonte ndarje etnike dhe kishte paralajmëruar disa herë se ai duhej larguar.

Ditën e nesërme, mijëra protestues dolën në rrugët e Preshevës, duke thënë se largimi i monumentit ishte një shembull tjetër diskriminimi ndaj shqiptarëve etnikë.

Disa liderë të Preshevës thanë se duan që çdo dialog me Beogradin të ndërmjetësohet nga komuniteti ndërkombëtarë për t’u përpjekur për të siguruar drejtësi.

“Do të donim të diskutonim problemet tona duke filluar që nga kryengritja, sepse këta njerëz vdiqën për liri. Por, ka kaq shumë problem që duhet të zgjidhim, si për shembull kujdesi shëndetësor, arsimi, ekonomia, problemet sociale, gjuha, simbolet dhe çështje të tjera”, tha Skender Destani, kryetari i Bashkimit Demokratik në Preshevë, për Balkan Insight, transmeton Gazeta Jeta në Kosovë.

“E dimë që po merremi me një qeveri që nuk është e interesuar në problemet tona, por kjo është e gjitha çfarë mund të bëjmë për tani”, tha ai.

Por, ish-luftëtari Orhan Rexhepi, lideri i partisë Lëvizja Kombëtare Shqiptare, tha se nuk do të kishte besim në Beogradin edhe nëse SHBA-ja dhe BE-ja përfshihen në dialog.

“Duhet t’i bazojmë bisedimet në referendumin e vitit 1992. Kjo është arsyeja pse luftuam”, tha ai, duke iu referuar referendumit lokal para 21 vitesh, në të cilin shumica e shqiptarëve votuan për autonomi territoriale dhe mundësinë për t’u bashkuar me Kosovën, edhe pse vota u refuzua nga Beogradi.

“Serbia po na shtyn të kërkojmë ndarje”, tha Rexhep

Lajme të ngjashme

Back to top button