Ndërkombëtarët rikthyen RDK-në në Kuvend

Me vendimin të Kryesisë Qendrore të RDK-së, deputetët Izet Zeqiri dhe Flamure Demiri Kreci i kthehen punës së parlamentit. Një vendim të këtillë, kryesia qendrore mori edhe si rrjedhojë e rekomandimeve nga faktori ndërkombëtar.

“Një nga prioritetet e RDK-së pas ndërprerjes së bojkotit, do të jetë themelimi i  një komisioni anketues për vërtetimin e ngjarjeve në Parlament, komision ky i cili do të vërtetojë përgjegjësinë dhe shkaqet për incidentet që përfunduan me nxjerrjen jashtë të deputetëve dhe gazetarëve nga ana e sigurimit të Kuvendit. RDK kërkon që të përpilohet Raport me propozim-masa për kapërcimin e kësaj situate dhe njëkohësisht të debatohet në seancë plenare.

Njoftojmë opinionin e gjerë se RDK ka politikë autonome dhe nuk bëhet pjesë e asnjë skenari të partive tjera, pavarësisht nga cila proviniencë ato vijnë.  RDK dënon dhunën e ushtruar më 24 dhjetor ndaj deputetëve dhe gazetarëve dhe shpreh indinjatë për faktin që asnjë parti nuk ka marrë iniciativë për zbardhjen e situatës.

RDK fton që të gjitha partitë politike parlamentare, përfshirë këtu edhe opozitën maqedonase e cila vazhdon bojkotin, që të përkrahin iniciativën për formimin e komisionit anketues për shkaqet e këtij incidenti. Njëherazi RDK nuk pajtohet me politikën e demokracisë së rrugës që zbaton aktualisht LSDM dhe fton deputetët e kësaj partie që të përkrahin iniciativën me qëllim që kriza aktuale në Republikën e Maqedonisë mos thellohet akoma më shumë në perspektivë.

Fakti që shumica parlamentare, respektivisht qeveria aktuale, shfrytëzon mospraninë e opozitës dhe propozon ligje me procedurë të shkurtuar, është një motiv shtesë për ndërprerjen e bojkotit të punës së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë nga ana e Rilindjes Demokratike Kombëtare”, thotë RDK-ja në komunikatën e saj.  /Portalb 

Lajme të ngjashme

Back to top button