Marrëveshja për deponinë “Rusino” u arrit, bllokada ngelet, çfarë më tej?

Marrëveshja për dhënien e lejes Komunës së Gostivarit për rehabilitimin e deponisë “Rusino” nga Ministria e Mjedisit Jetësor u arrit, megjithatë, bllokada që të çon nga Gostivari deri në këtë deponi nuk do të tërhiqet deri në momentin e nënshkrimit të kësaj marrëveshje nga të gjithë kryetarët e komunave të rajonit të Pollogut, thanë për Portalb.mk nga këshilli organizativ i “Stop Rusino”. Nga Komuna e Gostivarit na treguan planet e tyre pas nënshkrimit të marrëveshje së fundit për këtë, transmeton Portalb.mk.

Për çka u morën vesh “Stop Rusino”, Komuna e Gostivarit dhe Ministria e Ambientit jetësor?

Si pika kryesore të rendit të ditës në takimin e mbajtur në mes institucioneve të lartpërmendura, ishin fillimisht dhënia e lejes nga ana e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Komunës së Gostivarit për zbatimin e masave të shpejta për rehabilitimin e kësaj deponie si dhe një plan më afatgjatë.

  1. Kryetari i Komunës Taravari të nënshkruajë menjëherë lejen e ndërtimit për të filluar zbatimin e masave të shpejta për rehabilitimin dhe përmirësimin e infrastrukturës në Rusino.
  2. Plani rajonal i menaxhimit të mbetjeve në Rajonin e Pollogut, i plotësuar nga një plan për gjetjen e një lokacioni të ri brenda pesë viteve, të aprovohet nga të gjitha komunat në Rajon.

Nga “Stop Rusino” megjithatë nuk do ta tërheqin bllokadën, kërkojnë nënshkrime si garancion

Fadbi Ilazi nga iniciativa "Stop Rusino".
Fadbi Ilazi nga iniciativa “Stop Rusino”.

Fadbi Shabani nga kjo iniciativë përshëndet marrëveshjen e fundit në lidhje me këtë dhe informon se në takimin kur është nënshkruar kjo marrëveshje kanë marrë pjesë kryetarët e degëve të shumicës së partive politike.

“Nga ministri i Ambientit Jetësor morëm garancion se në afat prej pesë vitesh, deponia Rusino do të sanohet dhe dislokohet. Në takimin që e mbajtëm përveç anëtarëve të iniciativës qytetare Stop Rusino, në takim ishin edhe kryetari i Komunës së Gostivarit dhe kryetarët e degëve të BDI-së, LSDM-së, Lëvizjes BESA dhe VMRO-së” tha Fadbi Ilazi, nga “Stop Rusino”.

Megjithatë, ai shton se bllokada nuk do të tërhiqet deri në momentin kur nga kjo iniciative do ta shohin dokumentin e fundit të nënshkruar nga këshillat e të gjitha komunave të rajonit të pollogut.

“Bllokada nuk do të tërhiqet deri sa të na sjellin dokumentin e nënshkruar nga kryetarët e të gjitha komunave të pollogut, drejtorit të rajonit të pollogut dhe ministrit Nuredini. Së shpejti presim të ndodhe kjo, i presim nënshkrimet si garancion” shtoi Fadbi Ilazi.

Çfarë nënkuptohet me “masat e shpejta”(faza e parë), na sqarojnë nga Komuna e Gostivarit

Ndërtimi i një sistemi për trajtimin e rrjedhjeve, respektivisht ndërtimi i një kanali, shtëpi për punonjësit, peshore për matjen e automjeteve janë vetëm disa nga “masat e shpejta”, të cilat do të ndihmojnë në përmirësimin e situatës në Rusino për një afat më të shpejtë.

Arben Taravari
Arben Taravari

“Masat e shpejta nënkuptojnë prokurimin e kontejnerëve për të gjitha komunat në rajonin e Pollogut dhe sanimin e lokacionit në Rusino, dmth, ndihmë për Komunën e Gostivarit për ballafaqimin me problemin me të cilin përballet në vendndodhjen në Rusino (kjo përfshin ndërtimin e një sistemi për trajtimin e rrjedhjeve, dmth ndërtimin e një kanali, rezervuari dhe pompë që do të kthejë rrjedhjen në një deponi, shtëpi për punonjësit, peshore për matjen automjeteve dhe një rrugë që çon në deponi jostandarde duke vendosur një gardh përgjatë rrugës për të parandaluar hedhjen e paligjshme të mbeturinave përgjatë rrugës. Komuna e Gostivarit pas marrëveshjes së arritur me përfaqësuesit e iniciativës “STOP Rusino” do të jep pëlqim për projektin e infrastrukturës, në mënyrë që të mund të ndërhyhet në lokacionin dhe ta vendoset nën kontroll.

Miratimin e Planit Rajonal të Menaxhimit të Mbeturinave në Rajonin e Pollogut, i cili tashmë është aprovuar nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe që pritet të miratohet edhe nga Këshilli komunal i Komunës së Gostivarit, e që është parakusht për sigurimin e burimeve financiare të nevojshme për realizimin e investimeve të planifikuara në fazën e dytë të projektit, do të miratohet pas dakordimit të 9 Komunave për kohëzgjatjen e deponisë rajonale dhe mbylljen e saj për 5 vjet” deklaruan nga Komuna e Gostivarit, për Portalb.mk.

Ndërkaq nga kjo komunë informojnë se faza e dytëpërfshin ndërtimin e një deponie standarde me një impiant për trajtimin e mbeturinave, ndërtimin e stacioneve të transferimit, prokurimin e kamionëve për grumbullimin dhe transportimin e mbeturinave, prokurimin e kontejnerëve për përzgjedhjen e mbeturinave dhe mbylljen e plotë të 74 deponive ilegale ekzistuese dhe mbetjeve në rajon”.

Pesë ditë më herët u mbajt takimi mes ministrit të Mjedisit Jetosor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini me përfaqësuesit e iniciativës “Stop Rusino” dhe kryetarin e Komunës së Gostivarit, Arben Taravarin.

Nuredini theks të veçantë i vendosi Planit Rajonal të Menaxhimit të Mbeturinave në Rajonin e Pollogut, plan ky që tanimë është aprovuar nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, që përfshin ndërtimin e një deponie me një impiant për trajtimin e mbeturinave dhe tjetër.

“Gjatë kësaj u theksua rëndësia thelbësore e miratimit të një Plani Rajonal të Menaxhimit të Mbeturinave në Rajonin e Pollogut, i cili tashmë është aprovuar nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe që pritet të miratohet nga këshillat e secilës prej komunave në rajon, përfshirë Komunën e Gostivarit, që është parakusht për sigurimin e burimeve financiare të nevojshme për realizimin e investimeve të planifikuara në fazën e dytë të projektit.

Naser Nuredini, ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor
Naser Nuredini, ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor

Faza e dytë përfshin ndërtimin e një deponie standarde me një impiant për trajtimin e mbeturinave, ndërtimin e stacioneve të transferimit, prokurimin e kamionëve për grumbullimin dhe transportimin e mbeturinave, prokurimin e kontejnerëve për përzgjedhjen e mbeturinave dhe mbylljen e plotë të 74  deponive ilegale ekzistuese dhe mbetjeve  në rajon” shkruan në mes të tjerash ministri Nuredini në “Fejsbuk” .

Ndryshe, ka një muaj që aktivistë të iniciativës qytetare “Stop Rusino” në Gostivar dhe banorë të vendbanimeve përreth kanë bllokuar rrugën për automjetet që duhet të bartin mbeturina në deponinë Rusino. Pra nga Banjica e Poshtme drejt deponisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button