Afrohen LDK dhe VV, takohen liderët

Gjendja e rëndë politike, ekonomike dhe sociale në Kosovë dhe mungesa e demokracisë dhe shtetit ligjor, kanë qenë temat për të cilat kanë takimit të zhvilluar sot ndërmjet kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Takimi ndërmjet liderëve të dy partive më të mëdha opozitare në Kuvendin e Kosovës është zhvilluar në zyrën e nënkryetarit të Kuvendit, Sabri Hamiti, e ku, përveç Hamitit, ishte i pranishëm edhe kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri.

Në këtë takim u diskutua për gjendjen e rëndë politike, ekonomike dhe sociale në Kosovë, si dhe për mungesën e demokracisë dhe të shtetit ligjor.

Në takim u tha se përgjegjës për të gjitha këto është pikësëpari Qeveria e Kosovës. Me politikat e saj ose mungesën e tyre, ajo ka shkaktuar rritjen e varfërisë dhe të papunësisë në njërën anë, kurse degradimin e shtetndërtimit në anën tjetër, duke errësuar kështu perspektivën e qytetarëve të Kosovës, thuhet në kumtesën e lëshuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Po ashtu, u trajtua edhe çështja e reformës zgjedhore dhe rëndësia e jashtëzakonshme për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Kosovë. Përndryshe, çfarëdo përsëritje e cilësdo prej atyre dukurive të shumta që shënuan vjedhjet dhe parregullsitë masive të zgjedhjeve të 12 dhjetorit 2010, do të bënte që shteti i dobët i Kosovës të rrezikojë që pakthyeshëm të dështojë.

Përfaqësuesit e drejtuesit e këtyre dy subjekteve folën edhe për nevojën e një bashkërendimi të shtuar dhe më të mirë opozitar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, thuhet në kumtesë. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button