Kosovë, u prezantua Protokolli për mbrojtjen e identitetit të viktimave të dhunës seksuale në luftë

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës (QKRMT) ka prezantuar sot “Protokollin për identifikimin, hetimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë prezantim kanë marrë pjesë përfaqësues nga mekanizmat institucionalë dhe aktorët e tjerë të përfshirë drejtpërdrejt në mbrojtje të viktimave si: Policia e Kosovës, mbrojtësit e viktimave, prokuroria e shtetit, këshilli prokurorial dhe këshilli gjyqësor, gjykatat, agjencia për ndihmë juridike falas, OJQ-të.

Drejtoresha e organizatës joqeveritare QKRMT-së, Feride Rushiti tha se ky dokument synon të koordinojë të gjitha lidhjet institucionale në mënyrë që të mbijetuarat e dhunës seksuale të kenë qasje më të mirë në drejtësi, por gjithashtu të ndihmojë profesionistët që t’i qasin këto viktima dhe dëshmitarë në një mënyrë më efektive dhe të sigurt për nga ana e privatësisë.

“Procesi i dëshmimit është shpesh shumë i vështirë emocionalisht për viktimat dhe ky Protokoll ofron udhëzime se si t’i qasen viktimave dhe tregon nevojën për të mbrojtur identitetin e viktimës”, tha Rushiti.

Sipas saj, Protokolli nuk është një dokument ligjor, por është bërë në përputhje me standardet ndërkombëtare ndërsa ka tre shtylla kryesore: kërkimin dhe identifikimin; vlerësimin dhe dokumentimin; dhe mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimës.

Rushiti tha se për fat të keq drejtësia u vonua dhe se shumë viktima ishin të pakënaqur me trajtimin që kishin para autoriteteve gjyqësore.

Ajo shtoi se organizata e saj është angazhuar që nga fillimi për të njohur statusin e të mbijetuarve të dhunës seksuale në luftën në Kosovë, në mënyrë që të arrihet për këtë grup pensioni i paraparë me ligj.

“Ne kemi shënuar progres sepse tani flitet lirshëm për rreth 20 mijë viktimat e dhunës seksuale në luftë. Megjithëse gjykimet u kryen para gjykatësve të huaj të Misioneve UNMIK dhe EULEX dhe pastaj para gjykatësve të Kosovës, nuk kishte rezultate dhe kjo çoi në humbjen e besimit të viktimave në institucione të drejtësisë”, shtoi Rushiti.

Prokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Drita Hajdari tha se rreth 1000 raste të krimeve të luftës ishin trashëguar nga EULEX-i, përfshirë shumë pak raste të dhunës seksuale.

Hajdari theksoi se ky Protokoll ofron udhëzime hap pas hapi në rrugën drejt gjykimit. Ajo përmendi identifikimin e autorëve si një problem të madh për gjyqësorin, sepse viktimat shpesh nuk mbajnë mend as uniformën me të cilën ishin veshur.

“E rëndësishme është të raportohet çështja, pa marrë parasysh sa e vështirë është të kompletohet, sepse është e rëndësishme që ne të kemi një raport në Prokurori”, tha Hajdari.

Ajo theksoi se Kodi Penal i Kosovës parashikon mundësinë e marrjes në pyetje të viktimave dhe dëshmitarëve në ambientet lokale dhe jo vetëm në ambientet zyrtare, gjë që lehtëson mbrojtjen e identitetit të viktimës dhe familjes së saj.

Numri i viktimave të dhunës gjatë luftës është paraqitur të jetë rreth 20 mijë, mirëpo deri tani janë identifikuar rreth 1.200 viktima. Numri i personave që kanë dorëzuar aplikacionet për verifikimin e statusit përkatës të personave të dhunuar seksualisht gjatë luftës së fundit në Kosovë ishte 550. Qeveria e Kosovës në muajin shkurt të vitit 2018 filloi procesin e regjistrimit të statusit të individëve dhe verifikimin e tyre dhe ky numër konsiderohet i vogël krahasuar me shifrën prej 20 mijë viktimave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button