Ekstradimi i Ismajloviçit e Demirit nuk tensionon Maqedoninë

Autoritetet në Kosovë janë duke bërë gati proceduarat e duhura për ekstradimin e mundshëm në Maqedoni të Afrim Ismajlovicit dhe Alil Demirit, të kërkuar për vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smilkovcit në afërsi të Shkupit, që ndodhi në prill të vitit të kaluar.

Policia e Kosovës i arrestoi dy të dyshuarit në bazë të një urdhri ndërkombëtar, ndërsa zëvendësministri i Drejtësisë i Kosovës, Daut Xhemajli, ka thënë për Telegrafin se nuk beson që transferimi i tyre do të mund të tensiononte edhe më shumë situatën në Maqedoni.

“Policia e Kosovës ka vepruar në bazë të një fletarrestimi ndërkombëtar, që është detyrim. Kjo nuk do të mund të ishte arsye për shtimin e tensioneve”, ka thënë Xhemajli.

Edhe zyrtari për bashkëpunim ndërkombëtar në Policinë e Kosovës, Veton Elshani, ka thënë për Telegrafin se ekziston një procedurë për ekstradimin, e cila kryhet në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë së Kosovës.

Dy të dyshuarit, Ismajloviç  dhe Demiri u arrestuan në bazë të një fletarrestimi të lëshuar nga autoritetet e Maqedonisë, si të dyshuar për pjesëmarrjen në vrasjen e pesë të rinjve të nacionalitetit maqedonas. Pas kësaj pati arrestime në shkallë të gjerë të të dyshuarve nga komuniteti shqiptar i Maqedonisë. 

Asokohe shqiptarët organizuan protesta për të kundërshtuar atë që e kanë cilësuar si dhunë të pushtetit.

Dy të dyshuarit shpesh në mediat maqedonase janë cilësuar si anëtarë të grupeve islamike, për të cilat vazhdimisht spekulohet se ishin të përfshira në ngjarjen tragjike.

Së fundi në Shkup janë rindezur prapë tensionet ndëretnike, ndërsa ka pasur zëra se arrestimi dhe ekstradimi i këtyre dy të dyshuarve do të mund të nxiste protesta dhe reagime të tjera në një ambient të tillë të tensionuar. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button