ZGJOHU! paralajmëron padi për institucionet që nuk respektojnë gjuhën shqipe

Lëvizja Qytetare ZGJOHU! ka ndërmarrë një aksion për të identifikuar të gjitha institucionet ku nuk respektohet gjuha shqipe, ashtu siç kërkohet në ligjin për gjuhë.  

ZGJOHU! duke marrë për bazë rastin e fundit të denoncuar nga mediat, për mosrespektimin e shqipes nga Ndërmarrja Publike e Transportit “Shkup”, ka vendosur që të padisë të gjitha institucionet dhe drejtuesit e tyre që shkelin dispozitat ligjore që sigurojnë përdorimin e gjuhës së kombësive.  

“Padinë e parë do ta dorëzojmë kundër Ndërmarrjes Publike të Transportit ‘Shkup’ e cila edhe pse është e obliguar me ligj ta përdor gjuhën shqipe, refuzon ta bëjë këtë. Ligji dhe Kushtetuta parashohin sanksione për institucionet dhe drejtuesit e tyre në rast të mospërmbushjes së dispozitave ligjore andaj dhe presim që Prokuroria të ndërmarrë masa kundër shkelësve të ligjit”, thuhet në njoftimin e ZGJOHU! – t.

Kjo organizatë rikujton se ligji për gjuhët buron nga Marrëveshja e Ohrit, si  “një nga shtyllat e kësaj shoqërie dhe të  Kushtetutës”.

“Shembujt e refuzimit të pranimit të realitetit të ri në Maqedoni, dëshmojnë që akoma ka individ me mendje të pareformuar. Fatmirësisht, Ligji parasheh edhe sanksione në rast se nuk zbatohen dispozitat e veta nga ana e institucioneve ose funksionarëve”, thonë më tej nga ZGJOHU!, duke u apeluar mediave dhe qytetarëve për ndihmë në gjetjen e institucioneve që shpërfillin gjuhën shqipe,

“ZGJOHU! në bashkëpunim me mediat, po nis një valë të re të promovimit të ligjit për gjuhën shqipe, së pari duke përkujtuar të gjitha institucionet për obligimin që ta përdorin atë në mënyrë zyrtare dhe së dyti, ngritjen e padive në rast të refuzimit të zbatimit të Ligjit dhe përdorimit të gjuhës shqipe”, thuhet në komunikatë./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button