Hoti: Marrëveshja me Serbinë arrihet vetëm atëherë kur përmbyllet me njohje reciproke

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se të hënën në Bruksel do të takojnë palën serbe për të dialoguar për marrëveshjen përfundimtare për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, njofton REL.

Takimi në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë vjen pas një takimi që palët patën në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, më 4 shtator, ku u nënshkrua marrëveshja për normalizimin ekonomik mes dy shteteve.

“Marrëveshja arrihet vetëm atëherë kur përmbyllet me njohje reciproke. Nuk do të ketë marrëveshje të ndërmjetme, parciale apo kreative që nuk e zgjidh problemin përgjithmonë. Do të ketë vetëm marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke, që është sistematike dhe ku përfshihen të gjitha çështjet që duhet të adresohen në mes të dy vendeve të pavarura duke u bazuar në konventat, standardet dhe praktikën ndërkombëtare të rregullimit të marrëdhënieve në mes të dy vendeve të pavarura”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Ndërkohë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pjesëe koalicionit qeverisës, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian angazhim për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga pesë shtetet evropiane si dhe përmbushjen e premtimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Lutjet tona po ashtu shkojnë drejt Papa Françeskut, me shpresën që shpejt edhe Selia e Shenjtë do ta njeh Kosovën tonë si shtet të pavarur e sovran. Vetëm të bashkuar, me besim e mirëkuptim, mund t’ia dalim”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin social Facebook.

Pavarësia e Kosovës ende nuk është njohur nga: Spanja, Greqia, Qipro, Sllovakia dhe Rumania.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian nisi më 2011. Por, ky proces ishte ndërprerë në fund të vitit 2018, pasi autoritetet në Prishtinë vendosën një taksë ndaj importeve të Serbisë.

Taksa më pas u zëvendësua me reciprocitet. Por, qeveria e kryeministrit Avdullah Hoti hoqi masat e reciprocitetit, duke i dhënë shans rinisjes së procesit të dialogut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button