Dibër, dega e BDI-së e revoltuar nga nominimi i Latës, ai mohon incidentin

Pasi që u publikuan emrat e kandidatëve eventual të Bashkimit Demokratik për Integrim në zgjedhjet e marsit 2013, mësojmë se në Dibër emri i imamit Ruzhdi Lata nuk është pritur mirë.
Burime partiake në këtë degë i kanë thënë Portalb se mbrëmë në mbledhjen e dy Këshillave vendor të kësaj dege, anëtarët kanë shprehur pakënaqësinë e tyre. Madje ka ardhur deri në përleshje fizike, thonë ata.

Mes tyre është diskutuar për atë se pse nuk është respektuar vendimi i degës së Dibrës ku u propozuan tre emra ndërsa sipas tyre Ruzhdi Lata nuk i plotëson kushtet për kandidat sepse nuk është anëtar i BDI-së.

“Nëse nuk ri-shqyrtohet ky vendim një pjesë e madhe e anëtarësisë do ti bojkotojnë zgjedhjet ose do të përkrahin kandidat tjetër në shenjë revolte” thonë nga dega e BDI në Dibër.

Por kandidati i zgjedhur si pretendent i BDI-së në Dibër për postin e kryetarit të kësaj komune, Rruzhdi Lata, ka mohuar zërat për ndonjë konflikt brenda-partiak mes antarësisë së kësaj partie në degën e BDI-së në qytetin e Dibrës.

“Jo nuk është e vërtetë, nuk kam asnjë informacion të këtillë, në takim është diskutuar për emrat e këshilltarëve, por në asnjë moment nuk është kontestuar vendimi i kryesisë qendrore të BDI-së “, u shpreh Lata, për Portalb.

Gjithashtu edhe konkurrenti kryesor i Latës, njëkohësisht edhe drejtor i qendrës për kulturë në Dibër Artin Spahiu ka mohuar se ka pasur ndonjë konflikt.

“Ne kemi thënë vazhdimisht se do të respektojmë çdo vendim të kryesisë qëndrore, edhe pse anketat brenda qytetit mund të jenë ndryshe, vlerësojmë se kryesia qendrore e BDI-së do të bëjë zgjedhjen e duhur, ndërsa unë personalisht do të mbështes çdo vendim të saj”, tha Spahiu për Portalb. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button