Pse faturat e rrymës, ujit dhe kanalizimit s’kanë shqip?

Avazi diskriminues dhe mos respektimi i gjuhës shqipe vazhdon të jetë prezent akoma në Maqedoni.

Gati 12 vite pas nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, ajo nuk po gjen implementim adekuat.

Qytetarët e Maqedonisë faturat e ujit, kanalizimit dhe energjisë elektrike i marrin vetëm në maqedonisht.

Nga kompetentët, partia shqiptare në pushtet, nuk arritëm të marrim përgjigje se përse gjuha shqipe edhe pse e garantuar me ligj, nuk po gjen zbatimin e saj adekuat.

Por shqetësimin për këtë fakt nuk kanë nguruar ta shprehin partia e Menduh Thaçit dhe ajo e Rufi Osmanit.

‘PDSH që moti tenton ti sqaron opinionit se gjuha shqipe nuk është në përdorim zyrtar në Republikën e Maqedonisë. Atë që ka bërë BDI me dy ligjet që i ka sjellë njërin në vitin 2008 dhe tjetrin në 2011 nuk është asgjë tjetër përveç mashtrim që u bëhet shqiptarëve. E vërteta është ndryshe, me këto ligje është kufizuar gjuha shqipe. Prandaj ne kemi fatura e deri në parlament ne si grup parlamentar në shenjë proteste për shkak mos respektimit të gjuhës shqipe e bllokojmë punën e tij nga një orë’ tha Bekim Fazliu, deputet i PDSH-së.

‘Me ligj jepet e drejta që edhe ndërmarrjet publike edhe këto private që janë në kuadër të komunave ku popullata është mbi 20 për qind janë të obliguara që edhe ata faturat ti dërgojnë tek konsumatorët edhe në gjuhën shqipe. Por kjo nuk respektohet as nga EVN-ja as Telekomi, si dhe shumë institucione tjera që japin shërbime publike. E kemi kundërshtuar dhe ata duhet të respektojnë ligjin sepse në fakt po të analizohet shembull në Tetovë 80 për qind e konsumatorëve janë shqiptar. Dhe është e pa pranueshme të mos respektohet gjuha e konsumatorit’ tha Izet Zeqiri, deputet i RDK-së.

Kjo gjë irriton shumë qytetarët shqiptarë.

‘Pasi kemi të drejtë i duam faturat në gjuhën shqipe. Nuk është aspak e drejtë kjo, pse të jemi të diskriminuar çdo herë, nuk e di edhe sa do të zgjasë kjo’ tha Sheval Ibrahimi.

‘Më pengon shumë fakti se përse faturat e ujit dhe rrymës janë vetëm në maqedonisht, nuk e di çfarë bëjnë shqiptarët në qeveri, përse nuk marrin iniciativa të ndryshojnë këtë gjë, ose ndoshta nuk iu ka rënë në mend’ pyet Ismail Mamuti, student.

‘Sigurisht se faturat e rrymës, ujit dhe të tjerat shqiptareve duhet tu shkojnë në gjuhën shqipe, ndërsa të tjerëve në gjuhën që flasin, kjo është e rregulluar me ligj, por nuk praktikohet’ tha Samir Memeti, student./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button