Ndotja e ajrit, ndryshimet klimatike dhe burimet e ripërtëritshme në krye të agjendës mjedisore të Qeverisë së re

Gjelbërimi intensiv i vendit dhe ndryshimi i mënyrave të ngrohjes së institucioneve dhe shtëpive, si një nga përgjigjet më urgjente ndaj ndotjes së ajrit, pastaj trajtimi i duhur i mbeturinave dhe politika të reja të transportit me theks në subvencione për automjete ekologjike dhe biçikleta, janë angazhimet kryesore ekologjike të Qeverisë së re në programin për periudhën nga viti 2020 deri në vitin 2024. Do të punohen pikat e nxehta historike si OHIS dhe mbeturinat nga miniera në Radushë, ndërsa në të ardhmen nuk do të lejohet shfrytëzimi pa një plan për menaxhim të mbeturinave. Në pjesën ekologjike, e cila është një nga gjashtë shtyllat e programit të ri, Qeveria parashikon ndalesë për ndërtim të hidrocentraleve të reja të vogla në zonat e mbrojtura dhe parqet kombëtare, transmeton Portalb.mk.

Kontrolli dhe zvogëlimi i ndotjes mbetet një nga qëllimet themelore të Qeverisë së re, që duhet të arrihet përmes përdorimit të lëndëve djegëse ekologjike dhe përdorimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Kjo qeveri paralajmëron se, deri në fund të mandatit, asnjë institucion shtetëror nuk do të nxehet me sisteme të vjetra dhe jo-ekologjike të ngrohjes, por të gjithë do të duhet të kalojnë në ngrohje qendrore, gaz, kondicionerë inverterë ose pompa për ngrohje.

Në dy vitet e para, pesë milionë euro do të investohen në efikasitetin energjetik të ndërtesave publike për të zvogëluar konsumin dhe ndotjen. Ndër idetë më ambicioze është njoftimi se deri në vitin 2024, mbi 50 për qind e energjisë elektrike totale të instaluar do të jetë nga burimet e ripërtëritshme të energjisë. Paralajmërohen termocentrale fotovoltaike dhe parqe për energji nga era në Bogdanci dhe Miravci, si dhe centrale e biogazit.

Sidoqoftë, pavarësisht se theksi vihet në burime të rinovueshme, e kështu edhe në skenarin e gjelbër të Strategjisë për energjetikë, në programin e Qeverisë përmendet edhe hapja e minierës së qymyrit Zhivojno, me çka vazhdohet funksionimi i RXE Manastir për dy dekada dhe prodhimi i energjisë elektrike nga burime të papastra.

Kryeministri Zoran Zaev, gjatë prezantimit të programin para deputetëve në Parlament, tha se nuk do të ketë kompromis për ndotësit.

” Do të rriten dënimet për ata që e ndotin mjedisin tonë të përbashkët, në mënyrë që të ketë një garanci se atë që ne do të pastrojmë sot, nuk do të ndotet përsëri nesër”, tha Zaev.

Për Ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini, prioritetet në katër vitet e ardhshme janë ndotja e ajrit, menaxhimi i mbeturinave dhe ujërave të zeza, mbrojtja e natyrës dhe sigurimi i ujit të pijshëm për çdo qytetar në vend.

“Nuk guxojmë ta harrojmë krizën klimatike me të cilën përballet e gjithë bota. Nëse ka një gjë që e mësuam këtë vit, ajo është se mjedisi i shëndetshëm është një parakusht për përmbushjen e të gjitha të drejtave të njeriut, për shëndetin tonë, për ekuilibrin e ekosistemeve. Por gjithashtu që shtetet mund të ndërmarrin hapa radikalë kur është e nevojshme”, tha Nuredini.

Qeveria paralajmëron se ata do të zbatojnë Marrëveshjen e Gjelbër të BE-së dhe Qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara. Është planifikuar të bëhet gjelbërim intensiv i vendit, veçanërisht në qytetet më të ndotura.

“Do të sigurohet përqindje minimale e gjelbërimit për kokë banori, ndërsa subvencione dhe stimujt tatimor do të sigurohen për blerjen e automjeteve elektrike dhe hibride dhe biçikleta.” “Do të ketë stacione të reja matëse për matjen e grimcave PM në ajër dhe vlerat kufitare të ndotësve do të zvogëlohen”, thuhet në program.

Zonat historikisht të nxehta do të jenë një mësim për fillimin e një ndryshimi në ligjin për lëndë minerale për të siguruar që pas përfundimit të eksploatimit, terreni do të riparohet dhe rehabilitohet. Do të riparohet zona e nxehtë industriale, deponia e mbeturinave industriale nga miniera në Radushë, kurse Qeveria paralajmëron edhe ekzaminimin e deponisë së tretë në OHIS, si dhe projektin për pastrimin e deponisë së vogël, i cili tashmë është duke u zhvilluar.

Një nga problemet më të mëdha, jo vetëm në mbrojtjen e mjedisit jetësor deri më tani, ka qenë mos zbatimi i ligjit dhe politika e dobët ndëshkuese. Qeveria me ambicie e paralajmëron fillimin e monitorimit 24-orësh nga Inspektorati shtetëror për mjedis jetësor dhe inspektoratet lokale deri në fund të vitit. Numri i pamjaftueshëm i inspektorëve do të kapërcehet duke rrjetëzuar kapacitetet shtetërore dhe lokale dhe duke i rritur kompetencat e tyre. Laboratori qendror për mjedis jetësor do të jetë në dispozicionin e tyre, ndërsa Inspektorati Shtetëror do të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi me laboratorë të akredituar të superkontrollit çdo vit. Është paralajmëruar ashpërsim të ndëshkimeve për shkak të përvojës së keqe për shkak të mungesës së zellit të institucioneve dhe sjelljes burokratike gjatë drejtimit të procedurave, kurse për ata që ndotin për fitim do të ketë edhe përgjegjësi penale.

“Për secilin që do të konstatohet se i ka shkelur rregullat dhe procedurat do të humbasë licencën dhe lejen për shkak të sjelljes së papërgjegjshme dhe mos përmbushje të obligimeve ligjore”, parashikon Programi.

do të promovohet edhe menaxhimi i qëndrueshëm i mbetjeve gjithashtu, si dhe do të mbështetet ekonomia qarkore me ripërdorim dhe riciklimi i materialeve dhe produkteve.

“Deri në fund të vitit 2025, të paktën 60 % e peshës së mbetjeve të paketimit duhet të riciklohen përmes operacioneve të përpunimit ose duhet të përdoren për prodhimin e energjisë, kurse deri në fund të vitit 2025, minimum 55 % e maksimum 80 % e peshës së mbetjeve të paketimit  duhet të riciklohet”, thuhet në programin e qeverisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button