Shkupi 2014: Shqiptarët e urrejnë, maqedonasit me ndjenja të përziera

Në vitin 2010, një video e gjeneruar kompjuterike për planifikimin e kryeqytetit të Maqedonisë i ishte prezantuar gazetarëve. Duhej ndërtuar skulptura dhe përmendore, muze, ndërtesa administrative, porta triumfale madje edhe një flakadan. Derisa Nikolla Gruevski është në pushtet si kryeministër, planifikuesit e artit duan që të ngrisin sa më shumë art publik, ajo që në disa kryeqendra evropiane ishte vendosur shekuj më parë.

Kjo është hyrja e storjes speciale në prestigjiozen britanike “The Economist” lidhur me projektin “Shkupi 2014”, të shkruar nga korrespodenti ballkanik, Tim Judah me titullin “Gurët e diskutueshëm”.

Sipas shkrimit, tre vjet më pas, projekti po afron nga fundi dhe ky cep i Ballkanit po ballafaqohet me ngërçin e diçka të reje. “Kjo është më shumë se projekt për rindërtimin e qytetit, për shkak se çdo skulpturë është pjesë e një skeme më të gjërë ideologjike për tu kalitur identiteti maqedonas”, shkruan Judah.

Autori përshkruan skulpturat dhe përkujton kontestin e emrit me Greqinë dhe kundërshtimet e Athinës për vendosjen e skulpturës së Aleksandrit të Madh në shesh si dhe faktin se si Bullgarët thonë se Mbreti Samoil është i tyre. Shkrimi sjellë edhe opinione të arkitektëve dhe analistëve politik maqedonas, të  cilët vlerësojnë dhe kundërshtojnë projektin “Shkup 2014”.

“The Economist” përshkruan edhe një përmendore të vendosur në afërsi të Parlamentit, ku shkruhet ushtarët e vrarë maqedonas në betejat kundër guerilëve shqiptarë në vitin 2001. Gazeta shkruan se shqiptarët janë një e katërta e popullsisë së vendit dhe shumica prej tyre nuk durojnë atë që është ndërtuar në kryeqytet.

“Unë i urrejë këto ndërtime”, thekson Lura Pollozhani, gazetare e re shqiptare në Maqedoni. Ajo thotë se nuk e sheh vete në to. “Ata janë koncentruar në tema të vjetra maqedonase dhe shqiptarëve u thuhet se ne kemi ardhur këtu të parët”, thotë gazetarja shqiptare.

Në shkrim shtohet se shqiptarët, megjithatë kanë ndikim politik dhe se në pjesën shqiptare të kryeqytetit po ndërtohet një shesh. Ata arsyetojnë se tashmë kanë skulpturat e Skënderbeut si dhe skulpturën e planifikuar të Nënë Terezës, me një gjatësi prej 30 metrave në sheshin e qytetit.

Maqedonasit kanë ndjenja të përziera për mitizimet kulturore qeveritare, thuhet në fund të tekstit. Por, opozita dhe liberalët maqedonas ndjehen të fyer dhe të dëmtuar nga ky projekt. “Kjo është një katastrofë. Kjo është Diznilend. Ata vlerësojnë se Maqedonia është djepi më i lashtë i civilizimeve, dhe jo një vend normal, i vogël, modern dhe evropian”, ka theksuar gazetari dhe komentuesi veteran maqedonas, Sasho Ordanovski.

Lajme të ngjashme

Back to top button